Bashkimi Evropian nuk i ka shpalosur vërejtjet që i ka shprehur për kushtet e kryeministrit Albin Kurti lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, në BE thanë se diskutimet dhe propozimet për çështjen duhet të zhvillohen në kuadër të dialogut. E kryeministri Albin Kurti e përsëriti bindjen se Serbia, me Asociacionin, e synon krijimin e një Republike Serbe në Kosovë
Dialogu Kosovë-Serbi është hapësira ku palët mund të zhvillojnë diskutime dhe të shtrojnë propozime rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, vlerësuan të premten në Bashkimin Evropian.
Në Brukselin zyrtar nuk i bënë të ditura vërejtjet e ngritura për dy nga gjashtë kushtet që kryeministri Albin Kurti i paraqiti ditë më parë në Kuvend rreth Asociacionit.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, e theksoi gatishmërinë e bllokut evropian për lehtësimin e diskutimeve mbi Asociacionin, gjatë takimeve të ardhshme.
“I kemi marrë parasysh komentet e kryeministrit Kurti lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të bëra në Kuvendin e Kosovës, më 2 shkurt. Forumi për të diskutuar krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe çdo propozim që mund të kenë të dy palët, është në kuadër të dialogut. BE-ja është e gatshme t’i lehtësojë diskutimet mbi Asociacionin/Komunitetin në takimet e ardhshme të dialogut”, ka thënë Stano.
Në Qeveri kanë thënë se në takimet e radhës presin që të adresohen çështjet në kuadër të propozimi evropian.
“Para nesh kemi propozimin evropian për të cilin kemi thënë se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Takimet e radhës në Bruksel, kurdo që atë mbahen, presim që të jenë mundësi e mirë për të adresuar çështje në kuadër të propozimit evropian e që kanë të bëjnë me garancitë ndërkombëtare, mekanizmat zbatues dhe sekuencimin kohor. Kushtëzimi potencial nga ana e Serbisë i takimeve në Bruksel me diskutimin për Asociacionin padyshim se duhet të lexohet si përpjekje e Serbisë për t’iu shmangur diskutimeve për planin evropian, të cilin si të tillë tanimë e pati refuzuar një herë”, ka deklaruar zëdhënësi Përparim Kryeziu.
E mbi Asociacionin ka folur të premten kryeministri Kurti, teksa gjatë homazheve për aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini e shprehu bindjen se Serbia e synon krijimin e një Republike Serbe në Kosovë, sikurse e ka bërë në Bosnjë-Hercegovinë.
“Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj, Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë të komunave të së njëjtës parti që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president ‘Zajednice’ dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të Qeverisë sonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, ka thënë Kurti.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar një takim të shpejtë të nivelit të lartë midis Kosovës e Serbisë, në kuadër të dialogut.
Pa dhënë më shumë hollësi, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar se ky takimi do të zhvillohet “shumë shpejt”.