Uran Ismaili është zgjedhur kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.
Në Kuvendin Zgjedhor të kësaj dege, sipas njoftimit nga PDK-ja, morën pjesë 389 delegatë e Ismaili u zgjodh kryetar me shumicë absolute.
Në këtë Kuvend zgjedhor, i pari e mori fjalën ish kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, i cili ka adresuar kritika të ashpra kundrejt kryetarit aktual të kryeqytetit, Shpend Ahmeti i cili, sipas, tij po e mbanë peng zhvillimin e kryeqytetit. Ai tha se nën qeverisjen e Ahmetit, Prishtina po bënë vetëm hapa mbrapa.
“Ne po e jetojmë një qytet pa qeverisje, po e shohim se çka do të thotë me qenë një qytet pa kryetar. Qyteti po vyshket dhe po bën hapa prapa. Kemi një njeri në pushtet që pranon se ka frikë të ballafaqohet me problemet që i ka Prishtina. Qytetarët tani më janë të vetëdijshëm, që alternativa e vetme për ta qeverisur Prishtinën është PDK”, ka thënë ai.
Kryetari i Komisionit zgjedhor për Prishtinën, Enver Hoxhaj, në hapjen e Kuvendit zgjedhor të PDK-së në Prishtinë ka thënë se Kosovës do i kthehet shpresa kur kryeministër të bëhet Kadri Veseli e Prishtinën ta udhëheqë Uran Ismaili. Sipas tij, kur në krye të Qeverisë të jetë Kadri Veseli kryeministër e udhëheqjen e Prishtinës ta marrë kandidati për kryetar të PDK-së në kryeqytet, Uran Ismaili. Hoxhaj tha se deri më tani politikanët dhe partitë që kanë udhëhequr me Prishtinës nuk i kanë dhënë asgjë kryeqytetit.
Edhe
Krasniqi i PDK-së: Prishtina s’duhet udhëhequr prej dikujt që është mysafir
“Prishtina i ka dhënë shumë Kosovës. Shumë zhvillime kanë filluar në Prishtinë dhe nga një kryeqytet i një etniteti jugosllav jemi bërë shteti më i ri në hartën e botës. Politikanët dhe partitë asgjë nuk i kanë dhënë Prishtinës deri më tani. Kaosi, pasiguria, ajri i ndotur, urbanizimi i egër janë disa nocione që e karakterizojnë Prishtinën”, ka deklaruar ai.
Në njoftim të PDK-së thuhet se nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi, njëherësh Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të brendshme të PDK-së, në fjalën e tij në Kuvendin zgjedhor të Degës së PDK-së në Prishtinë, ka paralajmëruar ardhjen e Kadri Veselit në krye të Qeverisë “pas fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”. Ai ka thënë se fitorja e plotë e PDK-së dhe Kadri Veselit kryeministër bëhet kur PDK do të fitojë edhe Prishtinën.
“Prishtina nuk është një rrugë, e një leje ndërtimi. Është pasqyra e republikës së Kosovës për tërë vendin. Nuk ka qytetar i huaj që vjen në Kosovë e që nuk viziton Prishtinën. Asnjëherë s’jemi ndjerë rehat pa e fituar Prishtinën. Urani do ta fitojë Prishtinën”, ka thënë Kuçi.
Në anën tjetër, Ismaili ka thënë se Prishtinës do t’ia kthejë vëmendjen që meriton.
“Ndjej nevojën që Prishtina dhe PDK-ja të ndërtojnë një marrëdhënie të re mes tyre, që PDK-së ia jep një identitet të ri, kurse Prishtinës vëmendjen që meriton”, ka shtuar ai.
Edhe
PDK-ja me kryetar të ri, pa garë e me synime për reformë
“Nën Platformën e Dekadës së Re, të dizajnuar dhe udhëhequr nga Kryetari Kadri Veseli, një raport më intensiv dhe më dinamik mes qytetarit dhe PDK-së është duke zënë vend gjithandej në Kosovë. Për këtë arsye, PDK ka themeluar shumë nëndegë afër qytetarëve të Prishtinës, ndërkohë që qytetarët e Prishtinës nuk kanë qenë kurrë më të hapur dhe më të interesuar për të parë dhe dëgjuar se çfarë mund t’u ofrojmë atyre”, ka thënë Ismaili.
Ai ka thënë se 75 nëndegët e formuara gjatë këtyre ditëve përbëjnë numrin më të madh të nëndegëve që PDK ka pasur ndonjëherë në Prishtinë.