Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2024 pritet të jetë 4.2%, ndërkohë që inflacioni pritet të arrijë vlerën në gati 3%.
Në një konferencë për media të organizuar në prag të fundvitit, Ismaili ka folur edhe për vlerat e treguesve makroekonomikë për këtë vit.
“Sa i përket treguesve makroekonomik, rritja ekonomike në Kosovë sipas BQK-së në vitin 2023 pritet të jete 3.4 për qind, derisa për vitin 2024, pritet një rritje më e lartë prej 4.2 për qind, mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe eksporti. Gjithashtu, projeksionet e BQK-së për shkallën e inflacionit në tremujorin e fundit sugjerojnë për një ngadalësim të ritmit në 2.9 për qind, ndërkohë që mesatarja e vitit 2023 pritet të jetë 5.1 për qind”, është shprehur Ismaili.
Ai ka thënë se sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm, stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar dhe se cilësia e aseteve është adekuate.
Për sa u përket sfidave në ekonominë e vendit në vitet vijuese, sipas Guvernatorit Ismaili, marrë parasysh liberalizimin e vizave në vitin 2024 dhe dilemave të ngritura rreth ndikimeve potenciale në fuqinë punëtore (tregun e punës) dhe në ekonomi në përgjithësi, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka përfshirë këtë ndikim në supozimet e skenarit bazë të projektimit të BPV-së për vitet 2024 dhe 2025. “Vlerësimet e BQK-së konsistojnë në ndikim të ultë në periudha të shkurtra kohore, ndërkohë që ngjashëm me vendet e rajonit, praktikat sugjerojnë se bizneset përpiqen të neutralizojnë këtë ndikim në tregun e punës”, është shprehur Ismaili.
Lidhur me eksportin dhe importin e mallrave e shërbimeve, ka theksuar se për periudhën janar-shtator 2023 vlera e importeve ka arritur në 5 miliardë e 271 milionë euro, kurse e eksporteve ishte 3 miliardë e 61 milionë euro.
"Bilanci tregtar i shërbimeve, vazhdimisht ishte pozitiv dhe deri në shtator 2023 shënoi vlerën 1 miliardë e 398 milionë euro (2,419.9 - 1,021.5) që është për 20.8 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 që ishte 1 miliard e 158.1 milionë euro (2,040.6 - 882.6). Eksporti i shërbimeve për periudhën janar shtator 2023 arriti vlerën prej 2.4 miliardë euro, duke u rritur për 19 për qind, krahasuar me përudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rol kyç në këtë rritje të kësaj kategorie patën të hyrat nga shërbimet e udhëtimit, shërbimet kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit që kanë shënuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit", ka deklaruar Ismaili.
Edhe
BQK-ja parashikon rritje ekonomike 4.1 për qind vitin e ardhshëm
Guvernatori Ismaili ka treguar se është hera e parë që dërgesat e mërgatës, deri më muajin nëntor 2023, tejkaluan vlerën prej 1.2 miliard eurove.
“Remitancat të pranuara deri në fund të vitit 2023, pritet të arrijnë vlerën prej 1.3 miliard euro duke shënuar rritje vjetore prej 10.5 për qind. BQK-ja parasheh që në vitin 2024, këto të shënojnë rritje prej 6.0 për qind dhe 6.1 për qind në vitin 2025", ka theksuar Ismaili.
“Investimet e Huaja Direkte (IHD) deri në fund të tremujorit të tretë 2023 kanë arritur vlerën e 621.3 milionë eurove, prej të cilave 368.8 milionë euro janë në sektorin e patundshmërisë. Nga parashikimet e BQK-së, IHD-të për vitin 2024 pritet të jenë 792 milionë euro, ndërsa një vit pas planifikohen se mund te arrijnë 846.7 milionë euro”, ka shtuar Ismaili.