Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ISIS kërcënon Ballkanin, thotë së shpejti do të ecim edhe nëpër Prishtinë

Shteti Islamik kërcënon të vrasë serbë, kroatë dhe tradhtarë të myslimanëve në Ballkan në paralajmërimin e tij më të fundit ndaj rajonit, publikuar në variantin boshnjak të revistës se xhihadistëve Rumiyah.

Betohemi për Allahun se nuk e kemi harruar Ballkanin, thuhet në mesazhin e cituar nga BIRN.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në shkrimin me titull: “Ballkani-gjak për armikun, mjaltë për miqtë”, grupi terrorist lëshon paralajmërime të drejtpërdrejta për serbët dhe kroatët nisur nga roli i tyre gjatë luftërave në rajon e sidomos mizorive të kryera mbi myslimanët e Bosnjës.

Por nuk harron dhe pjesën tjetër.

Shumë shpejt, ushtarët e kalifatit do të ecin në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Tiranë, Prishtinë, Shkup e qytete të tjera duke derdhur gjakun e tradhtarëve, trumpetohet me të madhe në artikull.

“Mos mendoni se jeni të sigurt. Të gjithë tradhtarët e fesë islame në Bosnje, në rajonin serb të Sanxhakut, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni do të asgjësohen me shpata e kama, nëse nuk i kthehen islamit është kërcënimi i egër i Shtetit Islamik”, vazhdon artikulli, edhe pse pretendon më tej se gjaku i banorëve të një pjese të këtyre vendeve është më i dashur dhe i ëmbël për xhihadistët sesa ai i serbëve dhe kroatëve.

Autori i referohet ndër të tjera dhe sulmeve të ISIS-it në Britani, Francë, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, vende për të cilat thotë se janë më të forta sesa ato ballkanike, por sërish të pambrojtura ndaj goditjeve të befasishme.

Që prej shtatorit 2016, versioni boshnjak i revistës së Shtetit Islamik vazhdon të justifikojë sulmet e ndërmarra nga grupi terrorist në mbarë botën, citon TCH.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Bosnja është një prej eksportuesve më të mëdhenj rajonalë të xhihadistëve në Lindjen e Mesme dhe qëllimi i revistës në fjalë është të ndikojë më së shumti tek myslimanët e varfër dhe të papunë të këtij vendi.