Herët në mëngjes, këtë të enjte, Sabit Geci i shoqëruar nga familjarë erdhi në zyrat e EULEX-it.
Ish-komandanti i UÇK-së, kësaj radhe u paraqit para prokurorëve të Prokurorisë së Specializuar, si i dyshuar për krime gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Për gati dy orë, Geci është intervistuar në Prishtinë, sepse nuk ka udhëtuar në Hagë shkaku i gjendjes së tij shëndetësore, raporton KTV.
Avokati Tahir Rrecaj ka thënë se Geci është mbrojtur në heshtje.
Ish-komandanti i UÇK-së kishte marrë ftesë nga Specialja në dhjetor të 2019-s, e vetë ai nuk ka dashur të flasë për akuzat e mundshme ndaj tij.
Geci, ishte gjykuar për krime lufte ndaj popullatës civile ku edhe u dënua me 15 vjet burgim nga Gjykata e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë.
Vuajtja e dënimit, Gecit i është pezulluar përkohësisht për shkaqe shëndetësore.
Ndërkohë, në më pak se një muaj, Dhomat e Specializuara në Hagë u kanë dërguar ftesa disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pa u bërë e ditur në çfarë cilësie.
Ftesa për intervistim Specialja u ka dërguar edhe zyrtarëve të lartë të UÇK-së e të skenës politike në Kosovë, përfshirë kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, e kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.