Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ish-ministri Zemaj: Në fazën më kritike me COVID-19, Qeveria mendon veç për vota

Mashtrues e demagogë që punojnë krejt për pushtet e asgjë për shëndet i ka quajtur ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pasuesin e tij në këtë post dhe kryeministrin e Kosovës.

Pasi të shtunën u regjistruan 1370 raste të reja me COVID-19, si ditë rekord, që nga fillimi i pandemisë, Zemaj ka thënë se kryeministri, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po mendojnë “veç për vota e pushtet”.

“E keqja nuk po ka fund! Sot i kemi 1.370 raste të reja me Covid-19 dhe 1 të vdekur. Ndërkaq, Ministrin e Shëndetësisë dhe Kryeministrin i ka tërbuar tërësisht lufta për pushtet. Në fazën më kritike të epidemisë në Kosovë, me rritjen enorme të rasteve pozitive me Covid-19, ku vala e infeksionit me variantin Delta ka marrë përpjetën, Qeveria mendon veç për vota e pushtet. Lëvizjet e qytetarëve janë pa mbikëqyrje si dhe pa asnjë kontroll mbi masat kufizuese. Numri i rasteve spitalore dhe i vdekjeve po rritet frikshëm, ndërsa Kurti dhe Vitia e kanë luksin e planit për vota dhe fushatë zgjedhore”, ka thënë Zemaj në Facebook të shtunën.

Ai ka kritikuar pushtetin për pushimet që qendrat e vaksinimit në Kosovë po i kanë ditëve të vikendit.