Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se ministrja aktuale e këtij dikasteri, Rozeta Hajdari, do të duhej të jepte dorëheqje, pas arrestimeve të dy zyrtarëve e një biznesmeni për dyshime për dallavere me rezervat shtetërore.
Por, ai ka shtuar se përgjegjës duhet të mbahet edhe kryeministri Albin Kurti.
“Sigurisht se ajo duhet të jetë përgjegjëse, por edhe vetë kryeministri i vendit sepse kryesorë janë Kurti dhe Hajdari. Ministrja, kemi pritur që do të deklarojë diçka të tillë e cila ende nuk beson se janë bërë shkelje të tilla dhe t’i ikin përgjegjësisë. Presim që organet e drejtësisë t’i zbardhin rastet, e jo vetëm këto. Prej marrjes së mandatit nga kjo ministre, po shohim keqpërdorime. Sot ministrja Hajdari do të duhej të jepte dorëheqje ose Kurti ta shkarkonte për skandalet që po ndodhin vazhdimisht”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.
Njësia e Veçantë e Hetimeve, në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar tre persona, nën dyshimet për keqpërdorime gjatë blerjeve të rezervave shtetërore. Dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e një është biznesmen, i përfolur në publik për afërsi me Vetëvendosjen.