Njëri nga zëvendësit e Ramush Haradinajt ka vazhduar të hënën ballafaqimin e tij me drejtësinë.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka vazhduar marrja në pyetje e dëshmitarëve në gjykimin e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe të tjerëve, raporton KTV.
Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe krim të organizuar në kohën sa ishte ministër i Transportit, që ka të bëjë me dhënie tenderësh për ndërtim rrugësh.
Të akuzuar janë edhe Nexhat Krasniqi, shef i Prokurimit i kësaj Ministrie, ish-shefi i kabinetit Endrit Shala, Shpëtim Telaku, shofer i Limajt, dhe Florim Zuka, pronar i një kompanie për ndërtim rrugësh.
Dëshminë para trupit gjykues e ka dhënë ish-kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli.
Edhe
Vazhdon gjykimi për korrupsion ndaj Fatmir Limajt
Ai është thirrur për të dëshmuar rreth një tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve në rajon të Ferizajt më 2008.
Xhemajli ka thënë se disa herë është takuar me Fatmir Limajn në atë kohë, sepse kjo ishte puna e tij.
Por, ai nuk ka pranuar të jetë takuar me ish-ministrin Limaj ndonjëherë në emër të kompanive të ndërtimit.
Paradite ka dëshmuar Mustafë Dalloshi, i cili sipas përgjimeve, kishte pasur lidhje me Ali Aliun e Arsim Kolshin, të cilët gjithashtu kanë qenë dëshmitarë në këtë rast.
Shumicës së pyetjeve ai u është përgjigjur me ‘nuk e di’ dhe ‘nuk më kujtohet’.
Derisa, Limaj ka fajësuar mediat për aktakuzën ndaj tij, përkatësisht KTV-në e Kohën Ditore.
Edhe
Raport i KTV-së nga seanca gjyqësore ndaj Fatmir Limajt
“Boll e keni bo ju e Koha Ditore, s'keni bo kurgjo, duhet me kërku falje profesionale për këtë flliqësi’ që e keni bo bashkë me këta. Marre duhet me ju ardh”, ka thënë Limaj.
Gjykimi vazhdon me dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë gjatë kësaj jave.