Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, së bashku me ish-kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski organizuan sulmin në Parlament më 27 prill të vitit 2017, kur për kryetar u zgjodh Talat Xhaferi.
Kështu thotë Prokuroria për Krimit të Organizuar në dokumentin e akuzës, të cilën e ka përpiluar pas më shumë se dy vitesh hetim. Akuzën, Gjykata Penale ia ka pranuar prokurorisë në tërësi, dhe për një muaj do të nisë edhe gjykimi.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i ndjek këta persona nën akuza për “vënien në rrezik të rendit kushtetues dhe sigurisë”, për shkak se u kanë dhënë protestave të dhunshme mbështetje logjistike dhe financiare.
“Në fillim të vitit 2017, pas negociatave të dështuara për formimin e Qeverisë, të akuzuarit Nikolla Gruevski, Trajko Veljanovski, Mile Janakievski, Spiro Ristovski, Vlladimir Atanasovski dhe Nikolla Boshkovski, kanë përgatitur plan me qëllim të prishjes së rendit kushtetues dhe sigurisë me akte të dhunës për të penguar dorëzimin e pushtetit te shumica parlamentare dhe e posaformuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë për Krimin e Organizuar në Shkup
Në listën e të akuzuarve mungojnë deputetët e VMRO/DPMNE-së, të cilët ishin liruar nga akuzat me një amnisti politike që ishte dakorduar mes pushtetit dhe opozitës. Por, edhe pse është në listën e të akuzuarve, as Nikolla Gruevski nuk mund të gjykohet, pasi është në arrati në Hungari.
Nga dhuna e protestuesve që hynë në Kuvend pasi i hapën dyert disa deputetë të VMRO/DPMNE-së, pësuan lëndime deputetë, gazetarë e të punësuar në Kuvend. Dhuna nisi me kundërshtimin e VMRO/ DPMNE-së që kryetari i ri i Parlamentit të bëhej Talat Xhaferi/Euronews Albania.
-
Dënohen ish-kryekuvendari dhe dy ish-ministra të Maqedonisë për sulmet në parlament më 2017
-
Katër ish-drejtues të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut do të gjykohen për dhunën në Kuvend
-
Veljanovski i shpëton paraburgimit, Kuvendi nuk i heq imunitetin
-
Tre ish-zyrtarë të lartë në Maqedoni arrestohen për dhunën në Kuvend
-
Talat Xhaferi fyen punonjësit e Parlamentit, kërkohet dorëheqja e tij