Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën e trajtimit nga Policia e Kosovës të të gjitha rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.
Zekaj u vra të dielën mbrëma nga ish-kunati i saj, ndërsa tri ditë më parë.
“Këto veprime po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit dhe kanë për qëllim verifikimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj. Në kuadër të këtij procesi, IPK do të shqyrtojë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të secilit raportim, si dhe veprimet e ndërmarra apo eventualisht të mos ndërmarra nga zyrtarët policorë përgjegjës. Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale, nëse konstatohen shkelje apo lëshime gjatë trajtimit të rasteve të raportuara. IPK mbetet e përkushtuar që në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje, në përputhje me mandatin ligjor dhe duke respektuar integritetin e procesit hetimor”, ka njoftuar IPK.
Zekaj tri ditë para rastit i ka paralajmëruar institucionet për rrezikun për jetën e saj.
Me një letër drejtuar prokurores në Pejë, ajo kishte kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj atyre që siç ka shkruar ajo, kishin dështuar t’i përmbushin detyrat e tyre, në mbrojtjen e jetës së saj.
“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë të njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja”, thuhet në letër.
Viktima tutje kishte shkruar se uron që institucionet përgjegjëse të mos detyrohen të japin llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta e saj, derisa letrën e dërguar e kishte quajtur “shpresën e saj të fundit”.
“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht”, përfundon letra.