Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IPK dhe SHÇBA drejt fuqizimit të bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes policore

Prishtinë/Hajvali, 5 nëntor - Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesa (SHÇBA) të Republikës së Shqipërisë z. Muhamet Rrumbullaku, e vizitoi Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) ku u prit nga u.d kryeshefi ekzekutiv, z. Kushtrim Hodaj.

Gjatë këtij takimi, siç theksohet në komunikatën për media, zyrtarët e IPK-së e informuan z. Rrumbullaku dhe zyrtarët e tjerë të SHÇBA-së për punën dhe të arriturat e Inspektoratit Policor të Kosovës duke potencuar rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbikëqyrjes policore dhe kontrollit të brendshëm.

Në këtë takim u diskutua edhe mbi përgjegjësitë ligjore/institucionale - mënyrën e organizimit, mundësitë për fuqizimin e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacioneve si dhe bashkëpunimin në fushën e hetimeve dhe inspektimet e përbashkëta.

Që të dy agjencitë homologe (IPK dhe SHÇBA) u zotuan për angazhim të mëtutjeshëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes policore dhe shërbimeve të kontrollit të brendshëm në të dy vendet, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit në luftën kundër dukurive negative në radhët e policisë si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të individit.