Arbëri

Investitorë nga Bursa të interesuar për Kosovën

Ministrja Hykmete Bajrami priti në takim investitorët nga qyteti i Bursës së Turqisë, përkatësisht pronarin e kompanisë “Aktas Holding,” Shahab Aktash, dhe udhëheqësin e kompanisë “Kanun Yapi,” Halil Bedzeti, të cilët shfaqën interesimin e tyre për të investuar në Kosovë, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha. net.

Ajo u tha mysafirëve nga Bursa se Kosova ka avancuar shumë në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes. Ajo tha se kemi krijuar legjislacion modern, procedura të lehta, taksa të ulëta si dhe kemi përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën për punë të bizneseve.

Bajrami i inkurajoi investitorët që të fillojnë aktivitetin e tyre afarist në Republikën e Kosovës dhe u premtoi se qeveria e vendit do të jetë përherë në mbështetje të investitorëve që krijojnë vende pune dhe sjellin vlera për ekonominë tonë.

Investitorët nga Turqia u shprehën të kënaqur me klimën pozitive që ka krijuar Kosova në fushën e të bërit biznes dhe u shprehën optimistë se një pjesë të kapacitetit të tyre prodhues ta bartin në Kosovë, marrë parasysh potencialin njerëzor por dhe pozitën strategjike që ofron vendi ynë për zgjerim të produkteve të tyre në tregje të reja, përfshirë edhe tregun e Bashkimit Evropian.