Arbëri

Intervistohen vullnetarët e Qendrës së Studentëve që shërbeu si karantinë, për rastin e Agon Musliut

Ka filluar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit "COVID-19" nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku po intervistohet ekipi vullnetar në Qendrën e Karantinës në Prishtinës për çështjen e Agon Musliut.

E pyetur nga deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, se si kanë qenë të ndara përgjegjësitë gjatë kohës së të karantinuarve në konvikte, koordinatorja e vullnetarëve, Mirjeta Ahmeti, ka thënë se në ditën kur edhe ishte pranuar Agoni, më 2 maj, nuk ka qenë në pranim.

“Në momentin që është bërë thirrja për vullnetarë kemi fillu punën dhe janë ndarë punët dhe është bërë organizimi i punës. Kemi bërë ndërlidhje edhe me QKMF-në. Kanë ekzistuar 2 ekipe, mjekë të rregullt ose absolvent të mjekësisë dhe ekipi i logjistikës ka qenë i profesioneve të ndryshme. Kemi punuar pa orar dhe nganjëherë edhe 12 orë vetëm që t’ju ndihmojnë të karantinuarve. Me datën 2 maj kam qenë në detyrë por nuk kam qenë në pranim pasi janë ndarë përgjegjësitë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, vullnetari Gent Jakupi i cili ka konfirmuar se ka qenë në aeroport kur në mesin e të ardhurve ka qenë edhe Agon Musliu, teksa ka thënë se i kujtohet edhe ky i fundit.

“Numri që kanë ardhur në karantinë ka qenë i vogël. Duke marr parasysh që ka pasur edhe grupe të mëdha, kemi pasur detyrë si matjen e temperaturës, t’i ndihmojmë ekipit mjekësorë për çfarëdo kërkese dhe marrjes së të dhënave. Pyetjet janë marr nga IKSHPK. E mbaj mend të ndjerin Agon Musliu dhe nuk na ka jap letërnjoftimin sepse e ka dit përmendsh numrin”, tha Jakupi.

Vullnetarja Laureta Tafaj ka thënë se kur Musliu është pyetur për ndonjë sëmundje, ai ka mohuar dhe se nuk ka pasur dokument për ndonjë sëmundje.

“Së bashku me kolegët kemi plotësuar formularin e pranimit pyetjet kanë qenë rreth simptomave. Agon Musliu është pyetur prej institutit se a ka pasur ndonjë sëmundje ai ka thënë që jo vetëm se para se të shkoj në gjermani ka pas problem me veshka. Edhe ai është pyetur nëse ka pasur ndonjë dokument për çfarëdo sëmundje por nuk ka pasur”, tha ajo.

Vullnetarët janë pyetur edhe për mënyrën e aplikimit të tyre si vullnetarë dhe kriteret e kërkuara.

Ahmeti tha se kanë aplikuar me të dhënat personale dhe pastaj janë kontaktuar. Sipas saj, “në përgjithësi kanë qenë absolvent dhe ata nga Prishtina kanë pasë përparësi”.

“Menxhamenti i qendrës na ka referu me i bo kontrollat rutinore dhe kemi ndihmu edhe në pranimin dhe lirimin e banorëve prej aty. Edhe IKSHPK-së i kemi ndihmuar në gjetjen e banorëve brenda qendrës karantinuese”, tha ajo.

Në pyetjen e deputetit të LDK-së, Ilir Ferati, se a është fotografuar Agon Musliu atë ditë dhe a ka qenë shprehi të fotografon të gjithë të karantinuarit, Ahmeti e mohoi.

Sipas saj, ka qenë e vështirë të përdoret telefoni për shkak të veshjeve që kanë mbajtur.

“Nuk e kemi pasur praktikë të bëjmë fotografi”, tha Ahmeti.

Ndërsa, e pyetur se a kanë poseduar lista prej ambasadave, Ahmeti tha se ka pasur të tilla dhe me shënime, “në disa raste, p.sh. 5 kriteret që disa persona të mos hyjnë në karantinë”.

Përplasje ka pasur mes deputetëve, kur Ekrem Hyseni nga LDK ka pyetur vullnetarët nëse i përkasin ndonjë partie politike, teksa Kusari-Lila ka ndërhyrë se nuk mund ta bënte këtë pyetje.

Megjithatë, Mirjeta Ahmeti është përgjigjur se nuk janë në asnjë parti.

Teksa është përmendur edhe një herë se Agon Musliu kishte probleme me veshka, kryetarja e komisionit tha se ai nuk e kishte një problem të tillë, porse posedonte një ultrazë për mëlqi.

Agon Musliu ka vdekur në Qendrën e Studentëve në Prishtinë pas kthimit nga Gjermania, kur kjo qendër ishte shndërruar në karantinë për shkak të koronavirusit. Rasti i vdekjes së tij nuk është zbardhur ende.