Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19, deklaroi se nuk ishte në dijeni se Agon Musliu kishte probleme mendore, raporton KOHA.
“Asnjë problem shëndetësor nuk është paraqitur tek unë. Problemet shëndetësore nuk janë përmend, pra në raportet e prindit të tij me mua”, tha Haziri.
Ai tha se “në momentin kur ka zbritur në Aeroportin ‘Adem Jashari’, detyra ime ka përfunduar”.
Po ashtu, ndryshe nga deklarata e babait të Agon Musliut, Haziri theksoi se leja i është dhënë babait të Agonit vetëm që ta presë djalin e tij, por jo që ta marrë atë nga aeroporti. “Ai është lejuar që të dalë ta presë, por jo ta marrë. Nuk është kërkuar prej meje që të dalë në aeroport, por vetëm që prindi të dalë ta presë. Nëse më kish kërkuar me dal, edhe unë isha dal”, ka thënë ai.
Studenti Agon Musliu, pasi ishte kthyer nga Gjermania, ishte karantinuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku dyshohet se kreu vetëvrasje më 3 maj 2020, duke u hedhur nga ballkoni i ndërtesës ku po qëndronte.
Para Komisionit Hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë nga Qeveria e Kosovës dëshminë e tyre e kanë dhënë udhëheqës i Qendrës Operative në Ministrinë e Shëndetësisë, Pashk Buzhala si dhe udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan, Fadil Kajtazi. Që të dy kanë dëshmuar për rastin e Agon Musliut i cili vdiq në fillim të muajit maj në Qendrën e Studentëve që ishte shndërruar në qendër karantinë për personat e ardhur në Kosovë nga jashtë.
Pashk Buzhala udhëheqës i Qendrës Operative në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se për rastin e Agon Musliut ka dëgjuar tek në momentin kur Qendra Operative e Gjilanit ka kërkuar ndihmë dhe kjo ka ndodhur siç tha ai në orën 17:00.
Buzhala tutje tha se për rastin nuk kanë pasur asnjë dokument apo dëshmi paraprakisht që ka treguar për gjendjen shëndetësore të të ndjerit, Agon Musliu.
“Për rastin e Agon Musliut jam njoftuar pas që ka ardhur informata dhe kërkesa për të tjerët se duhet përkujdes bile si emër as nuk është marr shumë sepse kanë qenë katër persona, dhe asnjë informatë tjetër nuk ka pasur deri kur ka ndodhur rastin, asnjë dokument, asnjë dëshmi nuk ka ardhur në Ministri. Ajo që është e rëndësishme këtu është telefonata që kryen se edhe me dokumente edhe me plane emailet janë edhe dokumentet shtesë, kur ka sepse ka mundur të na përcjell dikush ndonjë dokument, kur ka dëshmi se është i sëmurë, por asnjë dokument deri rreth orës 17:00 kur kanë ardhur informata e para”, tha Buzhala.
Buzhala gjatë raportimit të tij tha se në të gjitha pikat kufitare kanë qenë të vendosur ekipet mjekësore të cilat kanë pasur përgjegjësitë e tyre që të vendosin se kush duhet të karantinohet e kush të lirohet apo vetëizolohet, krejt kjo në bazë të dëshmive që kanë pasur qytetarët.
Ai tha se shpesh mjekët kanë hezituar të marrin vendime pasi u ka munguar përvoja por edhe trajnimi për reagim në situate të tilla.
“Në të gjitha pikat kufitare në momentin kur janë mbyllur kufijtë dhe në të gjitha pikat kufitare që kanë qenë funksionale tokësore se avionët vetëm u ndalën nuk ka pasur qarkullim të linjave ajrore por linjat tokësore kanë filluar të qarkullojnë njerëzit, dhe në çdo pikë kufitare i keni vendosur ekipet mjekësore përgjegjësia për vendosjen e ekipeve mjekësore është adresuar shëndetit parësor shëndetësor të të gjitha komunave që kanë qenë afër pikës kufitare…Çdo veprim që kryhet përgjegjësi e mjekut në pikën kufitare ose kudo qoftë për trajtimin dhe përkujdesjen e pacientët është mjeku, bile unë shpesh herë iu kam thënë për mjekët në pikat kufitare që kishin dilema se ju jeni komandantat në këtë pandemisë mjeku ka qenë komandat.. Çdo person i cili ka hyrë në Kosovë është dashur t’i nënshtrohet vizitës mjekësore për faktin se nëse një person gjendja shëndetësore e tij është e mirë dhe ka ardhur prej një zone të rrezikshme me COVID është dashur të karantinohet ose vetëkarantinohet ”, tha ai.
Kurse, në deklarimin e tij udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan, Fadil Kajtazi ka thënë se me 1 maj është bërë kërkesa e tyre e parë për Qendrën Operative të ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes të cilët babi i të ndjerit, Agon Musliu, ka kërkuar të marrë leje qarkullimi e cila më pas është aprovuar i është dhënë leje për qarkullim nga ora 08:00 deri në orën 13:00.
Kajtazi tutje tha se më pas ka dërguar një letër edhe në Qendrën Operative Emergjente në ministrinë e Shëndetësisë përmes të cilës është kërkuar një neuropsikiatër për Agon Musliun.
Ai madje tha se raste të cilat kanë pasur dokumentacione që kanë dëshmuar se kanë probleme shëndetësore janë liruar.
Gjatë deklarimit të tij udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente të Gjilanit ka thënë se edhe kjo qendër e ka poseduar dokumentin mjekësor që është një ultrazë e mëlçisë së Agon Musliut e datës 2 shkurt 2020. Këtë dokument e pati bërë publik edhe babai i të ndjerit, Agon Musliu gjatë raportimit të tij po në këtë komision.