Institucionet shtetërore janë duke u treguar shpërfillëse në raport me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Vetëm këtë vit Agjencia për Informim dhe Privatësi ka gjobitur institucionet me afro 50 mijë euro, për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale të qytetarëve
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë është dënuar të hënën me 30 mijë euro pasi ka publikuar në faqen e saj zyrtare numrin personal të fermerëve përfitues të granteve, pa marrë pëlqimin e tyre. Agjencia për Informim dhe Privatësi e ka shqiptuar këtë dënim, pasi ka konstatuar se bazë të rregullores përkatëse, ka qenë e lejuar të publikoheshin vetëm emri, masa dhe shuma e dhënë për përfituesit, dhe assesi numri personal i tyre.
“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes publikimit të listave të fermerëve përfitues në faqen zyrtare të saj, lista këto që përmbajnë të dhëna personale, ku përveç emrit dhe mbiemrit, komunës, ashtu siç u tha më lartë, ka publikuar edhe numri personal, e njëjta me këtë veprim, ka cenuar privatësinë e subjektit të të dhënave, për arsye se ka ekspozuar/zbuluar një të dhënë unike të personit fizik në rrjet (internet), në të cilën kanë qasje numër i pakufizuar i vizitorëve. Për më tepër, publikimi i kësaj të dhëne (numrit personal) është në kundërshtim edhe me nenin 13, paragrafin 7 të Ligjit Nr. 04/L-090 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.03/L-098 për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural (LBZHR)”, thuhet në dokument.
Kjo është hera e dytë këtë vit që një institucion publik është dënuar për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në fillim të 2022-s, Administrata Tatimore e Kosovës është dënuar me 20 mijë euro për publikimin e Listave të Faljes së borxheve, duke ekspozuar të dhëna të ndjeshme të individëve.
Pas pranimit të dënimit ky institucion ka larguar këto të dhëna nga faqja zyrtare e ATK-së, dhe të njëjtën është obliguar ta bëjë tani edhe AZHB-ja.
Edhe
AIP-ja amniston zyrtarët që mohojnë qasjen në dokumente publike
“Administratat Tatimore e Kosovës, përmes publikimit të të dhënës ‘numrit personal’ të personave fizik në ueb-faqen e saj, pa bazë të duhur ligjore shkel dispozitat e ligjore, për arsye se ekspozon një të dhënë unike të tij dhe këtë në rrjet (internet) ku ka qasje numër i pakufizuar i vizitorëve. Dhe për më tepër publikimi i kësaj të dhëne është në kundërshtim edhe me Ligjit Nr. 05/L-043 për faljen e borxheve publike, Ligjit Nr. 05/L-119 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-043 për faljen e borxheve publike si dhe Udhëzimin Administrativ (QKR) Nr. 04/2015 për procedurën e faljes së borxheve publike. Administrata Tatimore e Kosovës, në cilësinë e kontrolluesit, nuk ka pasur bazë ligjore të duhur që të publikoj numrat personal të subjekteve të të dhënave në ueb-faqen e saj dhe me këtë veprim ka përpunuar të dhënat personale në kundërshtim me nenin 4 dhe 5 të LMDHP-së dhe ka kryer kundërvajtje nga neni 92, paragrafi 1 i LMDHP-së”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Në Agjencinë për Informim dhe Privatësi thonë se institucionet kanë probleme në zbatimin e Ligjit që ua mbron të dhënat qytetarëve dhe për ta ndryshuar situatën kanë trajnuar zyrtarë në institucione veç e veç.
Komisionerja e këtij institucioni, Krenare Sogojeva, tha se trajnimet kanë qenë të nevojshme për ndërgjegjësimin e institucioneve që të mos bëjnë shkelje.
"Gjatë vitit 2021 agjencia me mbështetje të organizatës GIZ ka mbajtur trajnime për të gjithë zyrtarët e mbrojtjes së të dhënave personale të caktuar në institucionet në nivel qendror dhe lokal. Tashmë të gjitha institucionet kanë të caktuar zyrtarë për mbrojtjen e të dhënave dhe këta zyrtarë janë të trajnuar edhe nga ana jonë sesi duhet të zbatohet ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, mirëpo gjithsesi për shkak të ligjit të ri tani dhe kërkesave të reja ligjore, duhet ta ceki se kemi një ligj shumë kompatibil ose mund të themi se kemi transpuzim të dispozitave të Bashkimit Evropian në ligjin tonë, kërkesat e reja ligjore duhet edhe të transmetohen edhe në vazhdimësi te institucionet në mënyrë që t'iu mundësohet institucioneve apo të ndërgjegjësohen institucionet që të mos bëjnë shkelje fare”, ka thënë Sogojeva.
Ekspozimin e të dhënave personale nga institucionet, po e sheh si shumë shqetësuese, Mentor Hoxhaj, ekspertë i Kibernetikës.
Edhe
ATK-ja paralajmëron masa për pronarët që s’i deklarojnë të ardhurat nga qiratë e banesave e shtëpive
“Ne shohim prapë në mjaft institucione ku të dhënat personale janë të ekspozuar, në veçanti numrin personal që është duke qarkulluar në institucione dhe atë e gjejmë mjaft lehtë. Është mjaftë shqetësuese kur institucionet e ndryshme ofrojnë qasje vetëm në bazë të numrit personal dhe kjo mundëson realisht që edhe personat të cilët pa të drejtë qasje në të dhënat personale mund ta fitojnë atë të drejt duke marr numrin personal nga burimet e hapura”, ka theksuar Hoxhaj.
Në qershor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës ka funksionalizuar Agjencinë për Informim dhe Privatësi duke e emëruar komisioneren e saj. Që nga ajo periudhë, në këtë institucion janë paraqitur gjithsej 55 ankesa.
“Për vitin 2022 kemi pas gjithsej 20 ankesa. Ky numër për dallim nga viti 2021 është dukshëm i madh. Derisa në vitin 2021 kemi pas 35 në total për gjashtë muaj, ndërsa për vitin 2022 kemi 20 vetëm për një muaj, çka do të thotë se ka filluar në përgjithësi një vetëdijesim i qytetarëve rreth së drejtës së tyre për mbrojtjen e të dhënave personale. Prej 20 ankesa që i kemi paraqitur këtë vit, 14 prej tyre janë të mbyllura me vendime, ndërsa 4 të tjera janë në proces të shqyrtimit”, ka bërë të ditur Sogojeva.