Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Inspektorati i trashëgimisë kulturore ndalon punimet në sheshin “Xhorxh Bush”

Sheshi

Foto: KOHA

Inspektorati i trashëgimisë kulturore ka ndaluar punimet e nisura të hënën në sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

KOHA ka raportuar të mërkurën se projekti 18.4 milionë eurosh i Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush” është në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E gjatë ditës, pllakatës së projektit i është vendosur njoftimi për ndalim të punimeve. 

Kjo nënkupton ndalimin e punimeve deri sa Komuna të çojë projektin në Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve dhe të marrë miratim për projekt. Atëherë mund të nisë puna nën mbikëqyrjen e institucioneve të trashëgimisë kulturore.

Të hënën, kryetari i Komunës, Përparim Rama, promovoi nisjen e punimeve pa e marrë pëlqimin nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Punimet në këtë bulevard zhvillohen midis monumenteve si hoteli “Grand”, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore, i miratuar qysh më 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore ose ato afër tyre kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

“Komuna nuk e ka sjellë  këtë projekt për miratim te ne, pavarësisht se projekti kufizohet me katër monumente. Sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, duhet miratuar projekti paraprakisht”, kanë thënë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Projekti për të cilin është kontraktuar kompania nga Shqipëria “Salillari” dhe disa kontraktues të tjerë nga Kosova ka peshë financiare prej 18 milionë e 400 mijë eurosh.

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë të martën i është drejtuar me shkresë Komunës së Prishtinës duke ia bërë të ditur se duhet pajisur me pëlqim për këtë projekt pasi atakon katër monumente. Po ashtu QRTK-ja i është drejtuar me shkresë edhe Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore duke i kërkuar që të merren masa.

Në ditën e nisjes së punimeve kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte thënë se s’ka telashe për nisjen e punimeve, kur i ishin përmendur edhe kontestet pronësore.

E para vendosjes së njoftimit për ndalim punimesh, të mërkurën u vendosën edhe barriera afër Bibliotekës Kombëtare.