Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

INPO: Kryetari i Vushtrrisë me para publike po e promovon punën e tij

Iniciativa për Progres (INPO) thotë se kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, po e promovon punën e tij me para publike.

Përmes një komunikate dërguar mediave të martën, INPO tha se është kundër praktikave të disa institucioneve publike që me paranë publike promovojnë kasta të ndryshme politike dhe individë, sikurse Komuna e Vushtrrisë, e cila ka hapur tender për promovimin e qeverisjes komunale.

INPO në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, thotë se ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë ka shpallur tenderin me titull “Shërbime mediale për aktivitete të Komunës Vushtrri-Ri tenderim”, me numër të prokurimit 644-22-3067-2-2-1 dhe vlerë të parashikuar 10,580 euro.

“INPO ka analizuar dokumentet e tenderit dhe vlerëson se shërbimet e kërkuara për kontraktim, janë shërbime audio-vizuele për promovimin e qeverisjes komunale dhe në asnjë formë nuk i shërben interesit qytetarë dhe objektivave zhvillimore të komunës. Në dosjen e tenderit përveç tjerash është kërkuar ‘Përgatitja e videove promocionale: Do të përgatitet video promocionale që përcakton zyra e informimit, për një projekt apo punë e cila ka përfunduar, duke cekur statistika të ndryshme (05-20 minuta) dhe intervistë me kryetarin e komunës, me kërkesë të zyrës së informimit caktohet data dhe vendi i intervistës me kryetarin e komunës (05-15 minuta)’”, thuhet në njoftim.

Në këtë drejtim, INPO shpreh shqetësimin edhe për mënyrën e hartimit të termave të referencës në dosjen e tenderit, e cila është jashtë çdo standardi profesional si dhe përdorimin e kriterit “çmimi më i ulët me peshim të çmimit” për këtë tender.

INPO vlerëson se shërbimet mediale janë lehtësisht të matshme dhe të kalkulueshme, dhe nuk ka pasur nevojë të përdorej kriteri “çmimi më i ulët me peshim të çmimit”, i cili mundëson porositjen e një shërbimi deri në përfundimin e shumës kontraktuale, dhe është argumentuar shumë herë se ky kriter po keqpërdoret nga ana e institucioneve publike.

Edhe Idrizi vlerëson se buxheti i Komunës së Vushtrrisë është i pamjaftueshëm Arbëri Idrizi vlerëson se buxheti i Komunës së Vushtrrisë është i pamjaftueshëm

“INPO i bën me dije Komunës së Vushtrrisë se implementimi i projekteve dhe qeverisja e mirë janë obligime fundamentale të organeve të komunës dhe nuk ka nevojë që për qëllime të promovimit të shpenzohet buxheti i komunës edhe ashtu i varfër karshi nevojave të qytetarëve. Promovimi më i mirë dhe krijimi i marrëdhënieve të mira me publikun dhe qytetarët është qeverisja e mirë, shpenzimi racional i parasë publike dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve. Andaj, shpenzimi i parasë publike me qëllim të promovimit të kastave politike dhe individëve të caktuar është keqpërdorim i parasë publike dhe shkelje e parimeve të qeverisjes së mirë”, thuhet në njoftim.

INPO i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Vushtrrisë dhe zyrtarit përgjegjës të prokurimit që këtë tender ta anulojnë.