Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se projektbuxheti për vitin 2024 ka një rritje, ashtu siç ka në të gjitha komunat tjera.
Ai në "60 Minuta" në KTV ka thënë se do të kenë mbi 27 milionë euro buxhet për vitin 2024.
Sipas tij, ky buxhet ndahet për kokë banori. Ka shtuar se kanë përgatitur projektet dhe i kanë kontaktuar edhe ministritë e linjës.
“Vitin e kaluar kemi pas mbështetje nga ministritë. Kemi pasur mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, e Zhvillimit Rajonal dhe ajo e Transportit. Nëse përmbyllen këto projekte siç e kemi planifikuar do të jetë punë solide. Të gjitha komunat jemi në përpjekje maksimale për të përfunduar projektet”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se operatorët duhet të dënohen më shumë nëse nuk i realizojnë projektet në kohën e paraparë.
Idrizi ka thënë se disa projekte kanë shkuar në OSHP dhe sipas tij, kjo e pengon realizimin e projekteve.
“Të hyrat vetanake për vitin e ardhshëm i kemi planifikuar mbi 3 milionë euro. Edhe të hyrat vetanake janë pjesë e realizimit të projekteve. Një pjesë e tyre është për investimet kapitale, pastaj edhe për subvencione. Kemi ndarë shumë bursa. Kemi subvencionu në sport gjithashtu edhe në bujqësi. Kemi edhe bashkëfinancim edhe për sera. Buxheti s’do të doja të orientohet në subvencione sepse nuk është zhvillim ekonomik, por kur bëhet fjalë për të rinjtë kjo ndryshon”, ka thënë ai.
Idrizi ka thënë se janë duke realizuar shumë projekte por ende nuk e di nëse do të ketë suficit.
Ai ka thënë se komuna e Vushtrrisë vazhdimisht përballet me vërshime.
“Vërshimet që kanë ndodhë herën e fundit kanë dëmtuar bizneset dhe disa toka bujqësore. Komisioni i ka vlerësuar dëmet, ka njoftuar Qeverinë dhe tash jemi në pritje”, ka thënë ai.