Arbëri

Ilaçet që kanë ënjtjen si efekt anësor përdoren për shtim peshe

Një kombinim i dy medikamenteve, që kanë si kundërindikacion ënjtjen trupore, po përdoret në Kosovë me qëllim të shtimit në peshë. Profesionistë shëndetësorë, që thonë të jenë të vetëdijshëm për përdorimin e tyre për këtë qëllim, bëjnë thirrje për ndalimin e praktikës teksa tërheqin vërejtjen për dëmet serioze të shëndetit

Sirupi antialergjetik “Sipraktin”, në kombinim me tabletat “Decort”, për trajtimin e sëmundjeve reumatike, gjenerojnë si efekt anësor ënjtje trupore dhe për këtë shkak po përdoren në Kosovë si medikamente për ta ndihmuar shtimin në peshë.

Ënjtja e organizmit, konfuzioni, humbja e nivelit të kalciumit, dobësimi muskulor dhe rrallimi i eshtrave janë disa nga kundërindikacionet që i shkakton në organizëm përdorimi i këtyre dy ilaçeve, bashkërisht.

Megjithëkëtë, farmacistja Laureta Berisha-Kosumi tregon se ka raste kur mjekët e përshkruajnë këtë kombinim për shtim të masës trupore, duke iu referuar si vitaminë.

“Nënës i është referuar si vitaminë dhe në bisedë e sipër me nënën është vërtetuar që mjeku e ka shkruar për efektin anësor të tij që është shtimi i peshës. Duhet të informohen të gjithë sepse një sirup i tillë në kombinim me tabletat e tilla nuk çon në shtimin e vërtetë të peshës, me ndërprerjen e këtij sirupi dhe të këtyre tabletave vjen deri te shfryrja e organizmit. Pra rikthimi i organizimit në fazën fillestare, siç ka qenë”, ka thënë Berisha-Kosumi.

Agjencia për Ushqim dhe Barna e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka konfirmuar KOHËS se asnjë prej këtyre dy produkteve nuk është e aprovuar për qëllim të shtimit në peshë.

Në Klinikën e Endokrinologjisë thonë të jenë në dijeni për përdorimin e tyre për shtim në peshë tash e një kohë të gjatë, teksa paralajmëruan për rreziqet që mund të pasojnë.

Endokrinologu Elton Bahtiri ka thënë se pas ndërprerjes së marrjes së këtij kombinimi, vjen deri te përkeqësimi i gjendjes, deri te pamjaftueshmëria mbiveshkore.

“Pacientët mund të kenë shtim në peshë, por në fakt shtimi në peshë është kryesisht si pasojë e ndikimit në metabolizëm të ujit dhe të elektrolitëve, konkretisht kemi mbajtje të natriumit në organizëm dhe bashkë me natriumin edhe të ujit që ne në termin mjekësore i themi endemë ose ënjtje, por kjo prek po ashtu edhe metabolizimin e kaliumit, shkakton humbje të tij, metabolizimin e kalciumit duke e humbur atë, duke manifestuar pastaj edhe me rrallim të eshtrave, zhvillim të ostoporozës, humbje të masës muskulore edhe dobësi muskulore për shkak se preket edhe metabolizimi sidomos i proteinave”, ka thënë Bahtiri.

Në Klinikën e Alergologjisë kanë thënë se sirupi “Sipraktin” përdoret në të gjitha rastet e alergjive, porse zakonisht e përshkruajnë një tjetër antialergjetik, që nuk ka veprim qendror.

E dietologia Vala Pupovci ka thënë se kjo mënyrë e shtimin të peshës, ani se mund të jetë e shpejtë, nuk është shëndetshme.

“Mënyra se si munden t’i ndihmojnë vetes është duke krijuar njëfarë plani të ushqimit, i cili ka kalori më shumë sesa prej atyre që djegin. Nëse normalisht një person i djeg po e them si shembull të përgjithshëm 2 mijë kalori, duhet të konsumohen 2500 kalori nëse dëshiron të shtoni peshë e 1500 kalori nëse dëshiron me humbë peshë. Pra 500 kalori më pak ose më shumë varësisht prej qëllimit që ka”, ka thënë Pupovci.

Shitja e këtyre dy produkteve po bëhet lehtësisht edhe online. Në ueb-faqe dhe në rrjete sociale të ndryshme po bëhet reklamimi i tyre, me çmim rreth katërfish më të lartë se në barnatore.

Për këtë, KOHA ka pyetur Inspektoratin e Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, porse thanë që veprimi nuk bie në kompetencë të tyre. Por në Inspektoratin Farmaceutik njoftuan se më 2022 janë shqiptuar 11 gjoba për dhënie të produktit pa recetë të mjekut teksa dhanë hollësi edhe për shitjet online.

“Sa i përket shitjes online të disa produkteve në disa faqe të rrjeteve sociale janë shqyrtuar disa raste dhe pas përgjigjes së marrë nga AKPPM, ku thuhet se ‘shitja online nuk është e lejuar’ rastet janë proceduar në NJHKEK për hetime të mëtutjeshme. Kështu që në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Tregut, Inspektorati Farmaceutik në rastet e tilla ka vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi, duke shqiptuar gjobë me vlerë deri 6000 euro”, kanë thënë në Inspektoratin Farmaceutik.

Muaj më parë, KOHA pati raportuar se si ilaçi “Ozempic”, i aprovuar vetëm për trajtim të diabetit të tipit 2, shitej në barnatore për humbje peshe, pa recetë, por edhe me përshkrim nga mjekët.