Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

IKD: Rregullorja e re e Kuvendit, në kundërshtim me Kushtetutën

Ndryshimi i rregullores së punës të Kuvendit qe iniciuar me qëllim që të përmirësohej performanca e deputetëve të zgjedhur. Por, rregullores së re e cila ka kaluar në lexim të parë i janë gjetur disa mangësi e dispozita që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, u tha në emisionin "60 Minuta" të KOHËS.

Në një raport nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thuhet se rregullorja e re është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Sipas institutit, Kryesisë së Kuvendit nuk do t’i mbetet asnjë rol me rregulloren e re.

“Është një periudhë e gjatë prej kur nuk është ndryshuar rregullorja e Kuvendit. Gjatë analizës që i kemi bërë kësaj rregulloreje, kemi pas që ka një varg problematikash që ndikojnë në gjenerimin e mosefikasitetit të Kuvendit dhe ka dispozita që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Disa prej tyre, është problematike çështja e kryetarëve, konferencës së kryetarëve të grupeve Parlamentare që në bindjen tonë dhe analizës tonë ka kompetenca që paraqesin ndërhyrje në kompetencat kushtetuese”, ka thënë Gëzim Shala nga IKD.

Shala shtoi se problem tjetër në rregullore është sanksionimi financiar i deputetëve që sipas tij nuk garanton të drejtën për bojkot opozitar. Ka thënë se deputetët nuk duhet të obligohet që të marrin pjesë në votim.

“Problem tjetër është me sanksionet financiare në raport me deputetët. Nëse shohim qëllimin e sanksioneve kemi të bëjë me rastet që Kuvendi është bllokuar për shkak të neglizhencës së deputetëve që pa ndonjë arsye nuk kanë marrë pjesë. Në mënyrën si është ndërtuar rregullorja për sanksionet financiare për deputetët, problemi është se nuk ndikon në disiplinimin e deputetëve dembelë, por prek edhe të drejta të tjera që kanë të bëjnë me veprimtaritë politike të tyre. Një nga to është e drejta që shfrytëzohet nga opozita, e drejta për bojkot opozitar. Opozita nëse do ta pengojë miratimin e një politike, një prej mënyrave është mospjesëmarrja në seancë dhe mosvotimi. Nëse ne i obligojmë që të votojnë, opozitën e kthejmë në shërbim të pushtetit dhe kjo është problematike edhe për pushtetin”, ka thënë Shala.

E, Jeton Hasani, ka thënë se nëse rregullorja e re hyn në fuqi, Kryesisë s’i mbetet asnjë rol. Ai tregoi se çfarë thotë Kushtetuta e Kosovës për rolin e kryekuvendarit dhe grupeve parlamentare.

Edhe IKD: Procesi për zgjedhjen e presidentit, cenim serioz i rendit kushtetues Arbëri 2 muaj më parë IKD: Procesi për zgjedhjen e presidentit, cenim serioz i rendit kushtetues

“Kushtetuta përcakton që kryetari i Kuvendit përcakton rendin e ditës, përcaktohet që kryesia e Kuvendit është përgjegjëse për funksionimin administrativ të Kuvendit dhe kompetencat hyjnë në ato që garantohen në Kushtetutë. Ne mendojmë se përfaqësimi i grupeve parlamentare është i mjaftueshëm dhe adekuat në Kryesi, me kushtetutë përcaktohet që përpos kryeparlamentarit edhe 5 grupe të jenë në përfaqësi”, ka thënë Hasani.

Sipas Hasanit, Kryesia me rregulloren aktuale funksionon si duhet.

“Arsyeja pse Kryesia e tanishme është më e fuqishme është sepse edhe rregullorja aktuale i jep kompetenca Kryesisë më shumë se që duhet. Rregullorja përcakton që rendi i ditës vetëm propozohet nga kryetari i Kuvendit e më pas i njëjti përcaktohet nga Kryesia. Kryesia e Kuvendit është e duhur sepse garanton përfaqësim të gjerë të spektrit politik”.