Arbëri

IKD: Bashkimi i ministrive të Mirëqenies Sociale dhe të Financave me pasoja serioze

IKD

Foto: Driton Paçarada

Instituti i Kosovës për Drejtësi publikoi raportin “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave”, duke ngritur shqetësime serioze mbi pasojat e këtij vendimi institucional.

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, kërkoi nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës rikthimin e kësaj ministrie si institucion i pavarur, duke theksuar se 85% e shteteve të Bashkimit Evropian e kanë një ministri të veçantë për këtë fushë, raportoi EO.

“Ky veprim nuk ka qenë reformë, por margjinalizim i mirëqenies sociale. Pas këtij vendimi, Kosova është ndër të paktat vende në rajon dhe Evropë pa një ministri të dedikuar për punë dhe mirëqenie sociale. Sot, 85% e shteteve te Bashkimit Evropian e kanë një ministri të veçantë për punë dhe mirëqenie sociale. Po ashtu, shumica dërrmuese e vendeve të Ballkanit Perëndimor e ruajnë këtë strukturë si shtyllë të rëndësishme të qeverisjes. Vetëm Kosova dhe pjesërisht Shqipëria kanë zgjedhur ta fusin këtë fushë jetike brenda ministrive me portofol financiar, duke e humbur fokusin strategjik dhe përgjegjësinë institucionale për të drejtat sociale. Kjo nuk është çështje teknike, por politike dhe sociale me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pas këtij vendimi, është dështuar tërësisht agjenda legjislative në fushën sociale. Ligje të rëndësishme, si ai për Punën dhe për Sigurinë në Punë, janë tërhequr ose kanë mbetur të bllokuara. Po ashtu, Kosova nuk ka arritur të harmonizojë legjislacionin me direktivat e Bashkimit Evropian, gjë që ndikon negativisht në procesin e integrimit evropian”, tha Jakaj.