Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 15-vjeçare, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar Hudutin si të infiltruar në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec.
Sipas vendimit, të transmetuar nga mediat në Shqipëri të enjten, masa është marrë mbi bazën e informacioneve të grumbulluara nga institucionet përgjegjëse, sipas të cilave veprimtaria e Hudutit vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin dhe sigurinë publike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUrdhri i ministrit i është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.
Autoritetet shqiptare pretendojnë se Huduti ka lidhje me regjimin iranian të ajatollahëve. Ajo gjithashtu është akuzuar për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Po ashtu, sipas autoriteteve në Shqipëri, ajo është shfaqur publikisht pranë ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad.
E Rama publikoi në Facebook foto të Hudutit ku pretendohet të jetë krah Ahmadinejadit, teksa e akuzoi se është përfshirë në protesta si e infiltruar.
“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinexhadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, ka shkruar Rama.
Pas shkrimit të Ramës, ka reaguar edhe vetë Igballe Huduti, e cila ka mohuar se pjesëmarrja e saj në protesta ka motive të tjera përveç atyre qytetare dhe patriotike.
Në reagimin, ajo ka deklaruar se pjesëmarrja në protestat në Tiranë buron nga shqetësimi për zhvillimet në Shqipëri dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.
“Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim”, ka shkruar ajo.
Huduti ka bërë thirrje ndaj Ramës, udhëheqësve botërorë dhe Bashkimit Evropian që të dëgjojnë, sipas saj, zërin e qytetarëve të revoltuar.
Ajo ka theksuar se nuk kërkon armiqësi me askënd, por “paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë”.
“Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë. As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë”, ka përfunduar ajo.