Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurorit Besart Mustafa për përjashtimin e gjyqtarit Sabit Sadikaj në çështjen penale ku Skender Hyseni akuzohet se në cilësi të ish-Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka bërë deklarimin e saktë të pasurisë.
Aktvendimi i Apelit, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, është marrë më 7 korrik 2023.
“Refuzohet e pabazuar ankesa e Prokurorit të Shtetit Besart Mustafa, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 12 qershor 2023, vërtetohet”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e ankimuar të 12 qershorit 2023, e ka e refuzuar si të pabazuar kërkesën e parashtruar nga prokurori Paulin Pashku për përjashtimin e gjyqtarit Sabit Sadikaj nga procedimi dhe vendosja në këtë çështje penale.
Kurse, thuhet se kundër këtij aktvendimi ankesë ka parashtruar prokurori Besart Mustafa, për shkak të shkeljes se dispozitave të procedurës penale dhe vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që Gjykata e Apelit aktvendimin e ankimuar ta anulojë dhe lëndën ta kthejë në rivendosje. Por, Apeli e ka refuzuar ankesën e tij.
Edhe
Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj ministres Gërvalla për mosdeklarim të pasurisë
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se prokurori Paulin Pashku, në shqyrtim gjyqësor kishte bërë vërejtje në pyetjen e gjyqtarit ndaj dëshmitarit Blerim Kelmendi, përfaqësues i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), duke vlerësuar se i njëjti ka qenë paragjykues dhe kishte parashtruar pyetje në mënyrë sugjestive dhe krejtësisht të njëanshme dhe se gjyqtari në fjalë nuk i ka përfshirë në tërësi vërejtjet e prokurorit Pashku në procesverbal, me çka i njëjti ka konsideruar se gjyqtari kishte bërë shkelje të nenit 5 dhe 9 të Kodit të Procedurës Penale.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 7 qershor 2023, prokurori Pashku gjatë dëgjimit të dëshmitarin Kelmendi, kishte kërkuar përjashtimin e gjykatësi Sadikaj, pasi i njëjti e kishte pyetur dëshmitarin nëse zyrtari që deklaron pasurinë dhe nëse pasuria e tij blihet përmes institucioneve relevante, a ishte detyrimisht fshehje nëse pagesa bëhet përmes bankës, ku sipas prokurorit kjo ishte një pyetje që qartazi krijon njëanshmëri dhe kërkoi ndërprerjen e kësaj seance.
Ndryshe, për këto akuza, Skender Hyseni, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 12 janar 2022.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 23 shkurtit 2022 e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit me arsyetimin se provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale.
Edhe
Ish-ministri i Jashtëm lirohet nga akuza për mosraportim të pasurisë
Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me rastin e marrjes së kësaj detyre, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).
Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volksëagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.