Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

I jepet lamtumira e fundit Rexhep Berishës

Për të nderuar atdhetarin Rexhep Berisha i cili u nda nga jeta të mërkurën, sot ditë e premte në Gjilan është mbajtur edhe një mbledhje e madhe komemorative ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale e shtetërore, të strukturave të tjera politike e fetare si dhe qytetarë të shumtë të Gjilanit, Anamoravës, Luginës së Preshevës dhe Kosovës, transmeton Koha.net.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, i cili në emër të qytetarëve të Gjilanit ka thënë se të gjithë ne jemi sot të vegjël para veprës së Rexhep Berishës, para shtatit të tij dhe para fjalëve që na la sa herë që e kemi takuar dhe kudo që e kemi takuar, në ditë të vështira e në ditë të mira.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sot jemi të vegjël para qëndresës së tij të madhe, i cili edhe atëherë kur e përcolli djalin e tij, Nuhiun, kryengritës i viteve të 80-ta, arrit ta ruaj e mbajë krenarinë në familjen e tij Berisha, e cila sot është ndër familjet më të mëdha në Gjilan, ashtu siç bëri edhe familja Mala, familja Zeka, ashtu siç bënë shumë familje të kohës, të cilat nuk u thyen, por u ringjallën e u ri-ngritën dhe vazhduan kontributin e madh në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe të të drejtave të shqiptarëve”, ka thënë Haziri.

“Baca Rexhë nuk është vetëm babai i familjes Berisha dhe as vetëm gjyshi i kësaj familje, ai është babai i gjithë neve dhe si i tillë do të mbetet simboli ynë”, ka thënë Haziri, duke nënvizuar faktin se tirqit, plisi dhe kostumet tjera të tij, tashmë janë pjesë e muzeut të qytetit.

Në tubimin komemorativ për Rexhep Berishën ka marrë pjesë edhe Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër të Kosovës, i cili ka thënë se të ndahesh prej njerëzve tek të cilët ka besim të madh, nuk është aq e thjeshtë.

Ndarjen e sotme me bacën Rexhë, ai e krahasoi me ndarjet prej burrave të çmuar, prej burra të zotë, prej atyre që, siç tha Haradinaj “ma kanë bërë të lehtë t`i them vetes shqiptar”.

“Mundem me thënë se sot vërtet pop ndahemi prej shqiptari model, modelin e të cilit mundemi secili prej nesh me marrë me vete në rrugën tonë të jetës. Prej bisedës me bacën Rexhë, kam mundur ta marrë me mend se kush ka qenë Nuhi Berisha, sepse atë nuk e kam njohur personalisht, sikurse kam mundur të kuptoj se kush kanë qenë prindërit e atyre që kanë rënë në beteja”.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, bashkëveprimtar i Nuhi Berishës, ka thënë se sot po ndahemi nga një burrë i madh i kombit tonë, i cili tërë jetën e vetë e kishte vertikale.

“Baca Rexhë na ka edukuar se si duhet atdheu. Ai na ka lënë amanet për të vazhduar rrugën e lirisë dhe të kombit”, ka thënë Isufi.

Familjes Berisha, telegrame ngushëllimi i kanë dërguar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani dhe të tjerë.

Rexhep Berisha u varros me nderime institucionale e qytetare në varrezat e dëshmorë ve në Gjilan, ku e fundit prej tij u nda Shukrie Gashi.