Flamur Hyseni, profesor i së drejtës, pret që Lëvizja Vetëvendosje mund të provojë të bëjë koalicion me ndonjë parti tjetër, nëse do të ketë nevojë.
Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LVV kryeson me 40.89 për qind të votave, apo 340 mijë e 541 vota. PDK-ja është e dyta me 22.05 për qind apo 183 mijë e 661 vota. LDK-ja është e treta me 17.63 për qind të votave apo 146 mijë e 815 vota. Koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-Intelektualët gjendet në vend të katërt me 7.46 për qind të votave apo 62 mijë e 111 vota.
“Në pikëpamje hipotetike, ndoshta do të ishte një koalicion më i qëndrueshëm VV – PDK – komunitetet joserbe. Lista Serbe duhet të përjashtohet në çdo variant. Ky do të ishte koalicion më i qëndrueshëm sepse kemi më tepër se 2/3 e votave. Nuk kemi parë edhe shumë vija të kuqe te PDK-ja, kemi parë zyrtarë të nivelit të mesëm që kanë folur, por nuk e kemi parë qëndrimin e kryetarit të PDK-së.
Hyseni ka theksuar se një qeveri nga opozita “në rrethanat më të këqija do të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese”.
“Pres që pjekuria politike e institucional e të gjitha partive, përfshirë edhe VV që krahasuar me të gjitha partitë është partia me përvojën më të madhe të qëndrimit në pozitën e kryeministrit, kjo është pjekuri e lartë institucionale dhe besoj se do të provojë nëse ka nevojë me ndonjërën prej partive të gjejë dakordancë, koordinim dhe të harmonizimit të politikave”, u shpreh ai në emisionin “60 Minuta”.
Ndërsa ka folur për polemikat mes kryeministrit në largim, Albin Kurti, dhe emisarit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, Hyseni ka thënë se ato janë bërë më shumë për protagonizëm personal.
“Ai po merret (me Kurtin), por si duket kjo është njëjtë sikur relacioni i kryeministrit Kurti me kryeministrin Rama, është një lloj protagonizmi personal sepse amerikanët ndonjëherë luajnë një rol interesant në demokracitë që janë në konsolidim e sipër. Në rrethanat çfarë është Kosova momentalisht nuk ka fare nevojë për ndërhyrje”.