Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Hungarisë, Laszlo Markusz, me ç’rast kryeministri e falënderoi qeverinë e Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit, veçmas tani në rrugën e integrimit evropian.
Kryeministri e informoi Ambasadorin hungarez për angazhimin e Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës në fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në Kosovë, avancimin në procesin e zbatimit të Agjendës së Reformave Evropiane, zhvillimin ekonomik dhe për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon.
Ambasadori Markusz, sipas komunikatës së Qeverisë, vlerësoi përkushtimin e Haradinajt dhe të Qeverisë së Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit dhe avancimin e Agjendës së Reformave Evropiane, duke premtuar mbështetjen e Hungarisë në këto procese të rëndësishme.
Në takim u bisedua edhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes dyja vendeve dhe inicimin e projekteve të tjera bilaterale.