Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, e ka akuzuar Gjykatën Speciale se po bën atë që nuk ka mundur ta bëjë Serbia gjatë viteve ’90. Sipas tij, kjo gjykatë po synon të nxisë luftë vëllavrasëse.
Humolli është shprehur i bindur se Gjykata Speciale është ndërtuar me presion politik për ta njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo gjykatë është e ndërtuar me presion politik për ta njollosur UÇK-në. Është i njëjti presion si në vitin 1989 për me heq autonominë. Edhe presioni politik që është bërë ndaj deputetëve për ta formuar këtë gjykatë paralele. Nuk i jep llogarit Kuvendit, qytetarëve të Kosovës, si mund ta besojmë që një gjykatë e tillë është e drejtë? Çdo zhvillim në kuadër të kësaj e shoh si politik. Tendenca është me shti një luftë vëllavrasëse. Ata që nuk e ka bërë Serbia gjatë viteve ’90, ta bëjë kjo gjykatë”, ka thënë Humolli në “60 Minuta” të KTV-së.
Humolli është edhe ish-pjesëtar i UÇK-së, ndërsa thotë se luftën do ta kishin fituar edhe pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Ndërhyrja e tyre thekson se ka ardhur në momentin kur UÇK-ja po ndërtohej si institucion. Por fajëson klasën politike që e ka nënçmuar shtetin pas çlirimit.
“Serbia dhe Millosheviqi ka ikur nga Rambuje pasi e ka ditur që do ta humbë luftën. Do të kishim fituar edhe pa ndërhyrjen ndërkombëtare. Ndërkombëtarët mund të na kishin ndihmuar siç po bëjnë sot me Ukrainën. Faza kur ka qenë për ta ndërtuar një institucion, ka ardhur Marrëveshja e Rambujes. Orientimi i jonë i gabuar politikisht ka bërë të mendohet që shteti serb me u kthy në një faktor stabiliteti në Ballkan. Klasa jonë politike duke nënçmuar vetveten, duke nënçmuar pozicionin politik na ka sjell këtu. Të gjitha partitë pa dallim. VV-ja para 14 shkurtit pati orientim tjetër, pasi u ballafaqua ndryshoi”, ka thënë ai.
Humolli ka thënë se intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk ka qenë për çlirim, por për ta ndalë luftën. Sërish thotë se klasa politike e ka menduar Kosovën të pafuqishme, pasi sipas tij, shteti nuk duhej bërë rob i askujt, duke aluduar në shtetet perëndimore.
“Intervenimi i NATO-s ka qenë me ndal luftën, jo me na zgjidh problemet. Klasa jonë politike e ka menduar se jemi çliruar, por nuk është e vërtetë. Ata e kanë ndal luftën, por u desh që vetë ne të zhvillohemi dhe jo të bëhemi rob i dikujt. Në vend se ta forcojmë aleancën me SHBA-në dhe Britaninë, ne tash kemi planin frankp-gjerman. Franca ka qenë gjithmonë krah Serbisë”, ka shtuar deputeti i Kuvendit.
Fatmir Humolli hyri në Kuvend si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Por pak javë më parë, ai dha dorëheqjen nga ky subjekt dhe tani funksionon si i pavarur.