Organizata “Human Care” ka filluar implementimin e projektit “Vetëdijesimi i grave rreth kancerit të gjirit dhe teknikave të vetëkontrollimit dhe edukimi i mbajtjes së higjienës trupore dhe orale tek fëmijët e komuniteteve egjiptas, ashkali dhe romë në Komunën e Fushë Kosovës”.
Ky projekt ka për qëllim rritjen e vetëdijes së femrës në shoqërinë kosovare mbi rrezikun e kancerit të gjirit sidomos të grupeve të margjinalizuara.
Vetëdijesimi i grave për diagnostikim të hershëm do të ndikojë në trajtim të mëhershëm.
“Sipas Institutit të Onkologjisë, numri femrave të prekura nga kjo sëmundje çdo vit është në rritje. Në shtatëmujorin e parë të vitit të kaluar, 185 gra janë diagnostikuar me kancer të gjirit”, thuhet në komunikatën e HC.
Hulumtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas HC-së, tashmë kanë tërhequr vërejtjen se me një kujdes më të madh të njerëzve, sëmundja e kancerit edhe mund të parandalohet në shumë mënyra.
“Sipas OBSH-së, çdo vit 8,8 milionë njerëz vdesin nga kanceri e shumica prej tyre janë nga vendet me të ardhurat e ulëta dhe të mesme”, thekson “Human Care”.
Ky projekt u financa nga Komuna e Fushë Kosovës, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Organizata “Human Care” e cila është edhe implementuese e projektit.