Adrijana Hoxhiq nga Iniciativa qytetare Komuniteti i Bashkuar ka thënë se vendimi i PZAP-së dhe Gjykatës Supreme për anulimin e votave, është i politizuar dhe i orkestruar.
Hoxhiqi në intervistën në “Interaktiv” të KTV-së theksoi se ka mbetur e befasuar me vendimin e pare të PZAP-së, pasi ajo nuk priste ndonjë ndryshim nga Supremja.
“Unë pas vendimit që kemi marrë nga PZAP-ja, e kam pritur që vendimi i Supremes do të jetë i ngjashëm, por jam befasuar nga vendimi i parë. Unë fuqishëm besoj që ky vendim është i politizuar dhe i orkestruar. Në të gjithë procesin ku kam qenë unë e akuzuar për orkestrimin e votave, në të vërtetë i orkestruar është ky vendim i Supremes dhe vendimi që e ka marrë PZAP-ja. Është bërë shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, ku secili qytetar ka të drejtë të votojë sipas vullnetit. Kushtetuta dhe e drejta zgjedhore janë të qartë, vota është e lirë dhe e fshehtë”, është shprehur Hoxhiq.
Hoxhiq dha edhe një tjetër argument, për të cilën pretendon se ka të drejtë dhe arsyeja pse ajo është jashtë Kuvendit, sipas saj, është bërë në mënyrë të qëllimshme.
“Argumenti tjetër është se në komunën e Kllokotit, nga vendimi i Supremes dhe PZAP-së, ka zero banor të komunitetit boshnjak. Në këtë komunë, kemi marrë 249 vota dhe të gjitha janë të anuluara. Në të njëjtën komunë, subjekti tjetër boshnjak ka 147 vota nga të cilat 145 janë të aprovuara. Ky është standardi i dyfishtë. Kur e bëni një kalkulim për Iniciativën Komuniteti i Bashkuar, e kuptoni që e gjitha ka qenë e qëllimshme sepse kanë dashur që Adrijana Hoxhiqin të mos e lejojnë brenda Kuvendit. Nuk e di se kush e ka dashur këtë”, deklaroi ajo.
Në fund Hoxhiq i quajti “servilë” kundërshtarët e saj të komunitetit boshnjak, Duda Balje dhe Emilja Rexhepi.
Edhe
Hoxhiq: Do të bëjmë gjithçka që të dëshmojmë se Kosova nuk është shtet i së drejtës
“Në shoqërinë e Kosovës politikat dhe politikanët servilë kanë vend, dhe jo ata që duan të ruajnë dinjitetin e komunitetit të vet. Janë ata që po prezantohen se i takojnë komunitetit boshnjak, që i kanë shfrytëzuar 20 vite karriget kinse i kanë ndihmuar komuntetin boshnjak dhe kjo është shkelje kushtetuese. E kam fjalën për Duda Balje dhe Emilja Rexhepin”, tha Hoxhiq.
PZAP-ja kishte arsyetuar se “votat e marra nga Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hoxhiq dhe Koalicioni VAKAT, janë në disproporcion me numrin e banorëve të komunitetit boshnjak, komunitet që i përkasin edhe subjektet ankuese por edhe subjekti i atakuar, paraqesin vota të pavlefshme për faktin se është standard jodemokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër dhe si të tilla nuk paraqesin lidhje objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar”.
Në përputhje me të, Gjykata Supreme vlerësoi se përfundimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm.