Arbëri

Hoxhiqi mbetet jashtë Kuvendit, Iniciativa Rome vetëm me një deputet

Komisioni Qendror i zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

Me këto rezultate, Adrijana Hoxhiq nga Ujedinjena Zajednica, ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e re, teksa listës së deputetëve i është shtuar Duda Bale e partisë SDU.

Ndërkaq, përveç Hoxhiqit listës i është hequr edhe një emër nga Iniciativa Rome. Hatixhe Dordeviq nuk është në legjislaturën e re, kurse Iniciativa Rome mbetet me vetëm një deputet.

Pas ankesës së boshnjakëve kundër Hoxhiqit dhe Iniciativës Romë për manipulim votash, PZAP-ja kishte vendosur që në shtatë komuna në tërësi t’i anulojë votat kurse në tri pjesërisht.

PZAP-ja kishte arsyetuar se “votat e marra nga Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hoxhiq dhe Koalicioni VAKAT, janë në disproporcion me numrin e banorëve të komunitetit boshnjak, komunitet që i përkasin edhe subjektet ankuese por edhe subjekti i atakuar, paraqesin vota të pavlefshme për faktin se është standard jodemokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër dhe si të tilla nuk paraqesin lidhje objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar”.

Në përputhje me të, Gjykata Supreme vlerësoi se përfundimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm.

20 ulëset në Kuvend të përcaktuara për komunitetet e Kosovës, janë ndarë në këtë mënyrë: 10 të siguruara për komunitetin serb, të cilat i ka fituar Lista Serbe; 2 deputetë Koalicioni VAKAT dhe me nja një deputet, Partia e Re Demokratike e Kosovës, Partia Gorane, Iniciativa e |Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Social Demokrat.