Arbëri

Hoxhaj: S’duhet të ketë proces politik në veri pa serbët

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se komuniteti serb në veri duhet të jetë pjesë përbërëse e politikës në Kosovës, pasi sipas tij, integrimi i veriut bëhet vetëm në këtë formë.

Ai ka deklaruar të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së se Qeveria Kurti nuk ka qartësi për mënyrën e integrimit të serbëve, derisa ka shtuar se Serbia e preferon të paintegruar.

“S’duhet të ketë proces politik në veri pa pjesëmarrjen e komunitetit serb. Është jetike që komuniteti serb, jo vetëm që të jetë i integruar, por të jetë pjesë e proceseve politike. Po flasim për katër komuna që janë pjesë e Republikës së Kosovës. Çdo përpjekje për ta larguar komunitetin serb nga jeta publike në veri, është interes kryekëput i Serbisë dhe i shërben Serbisë. Nuk është interes i Kosovës që në janarin e 2024-s, veriu të udhëhiqet me polici”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas deputetit të PDK-së, Kosova mund të rrezikohet nga përsëritja e skenarit të Banjskës, por siç ka theksuar ai, deklarimet e Qeverisë për luftë “nuk i shërbejnë interesit të vendit”.

“Kosova mbrohet nëse mbi të gjitha ka një koordinim të mirëfilltë me partnerët amerikanë e evropianë. Ajo qe ka ndodhur në veri dhe ajo që ka ndodhur në kontekstin ndërkombëtar, Kosovës do t’i duhen edhe 10 vjet për t’u konsoliduar në atë që ka qenë në vitin 2020. Rendi global është i keq, trendi global s’është i favorshëm, por Kosova ka pasur mundësi të përdorë shpërthimin e luftës në Ukrainë në favor të saj”, është shprehur Hoxhaj.

Nënkryetari i partisë opozitare ka shtuar se partnerët e Kosovës janë shqetësuar me situatën në veri, e sipas tij, Qeveria Kurti ka pasur qasje të gabuar në trajtimin e tërë procesit.

Sipas Hoxhajt, me Aneksin e Ohrit, Kosova ka humbur në raport me Serbinë, derisa qasjen e kryeministrit Albin Kurti e ka cilësuar “se është në interes të Serbisë”.

I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Hoxhaj ka shtuar se opozita duhet të krijojë frymën e përbashkët.

“Këtë frymë duhet ta mbajë PDK-ja, duhet të ketë frymë, jo për të qenë kundër VV-së, por për t’i mbyllur temat që i diskutuam sot. Se nuk mendoj se temat që ka Kosova sot, t’i përmbyllë një parti e vetme...Duhet një opozitë që e kthen vendin në binar, duhet të krijohet një ekip e platformë nëse partitë politike e shohin këtë interes”, ka thënë tutje ai.