Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxhaj konfirmon: Vendimi për kandidaturën e Ramiz Lladrovcit u mor në janar

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka konfirmuar se vendimi për ta kandiduar Ramiz Lladrovcin për kryetar të Drenasit është marrë në janar.

Të shtunën dega e PDK-së në Drenas, nuk e kandidoi Lladrovcin për kryetar të Drenasit e në vend të tij e kandidoi Driton Ajazin.

Por, të shtunën mbrëma erdhi reagimi i PDK-së, që konfirmoi se në janar është kandiduar Lladrovci për kryetar të Drenasit, së bashku me Agim Aliun për kryetar të Ferizajt, Naim Ismajlin për Shtime e Besim Ilazin për Kaçanik.

Në një përgjigje dhënë me shkrim për Kosovapress, Hoxhaj ka thënë se ka qenë vendim i Kryesisë qendrore qysh në janar të këtij viti se PDK do të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave ku qeverisë PDK.

Ai ka thënë se bashkë me deputetin nga Drenasi, Ferat Shala si dhe me kryetarin e degës Sejdi Hoxha, javën e kaluar kanë takuar anëtarët e Kryesisë së Degës së Drenasit dhe i kanë njoftuar edhe zyrtarisht për vendimin për kandidaturën e Ramiz Lladrovit për kryetar.

Edhe Hoxhaj thotë se vendimi për Lladrovcin u mor në janar e u informua dega Video Hoxhaj thotë se vendimi për Lladrovcin u mor në janar e u informua dega

Ai ka ftuar anëtarë e PDK dhe gjithë qytetarët e Drenasit që ta mbështesin qeverisjen e mirë të PDK në këtë komunë.

"Meqë edhe sot ka interes nga mediat rreth kandidaturës në Drenas të zotit Ramiz Lladrovci, dua ta konfirmoj që javën e kaluar së bashku me deputetin Ferat Shala dhe kryertarin e degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, kemi takuar kryesinë e degës së Drenasit. Degës ia kemi konfirmuar qëndrimin e marr në Kryesinë qendrore të PDK-së të marr në janar për kandidaturën e zotit Lladrovci dhe kjo është temë e mbyllur. Qëndrim të njëjtë dhe të qartë kanë pasur edhe zoti Shala edhe zoti Hoxha në mbështetje të zotit Lladrovci për kryetar të Komunës së Drenasit. Ftoj të gjithë anëtarët e PDK-së dhe qytetarët e Drenasit që të mbështesin qeverisjen e mirë të PDK në Drenas dhe kryetarin Ramiz Lladrovci i cili radhitet si kryetari me performancën më të mirë në vend", ka thënë Hoxhaj për Kosovapress./KSP