Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxha: Konjufca mund ta kishte menaxhuar situatën, por seanca u dirigjua nga Kurti

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se kryeparlamentari Glauk Konjufca mund ta kishte menaxhuar situatën e së enjtes në Kuvend, por sipas saj, seanca u dirigjua nga kryeministri Albin Kurti, gjë që ajo thotë se ishte shkelja e parë nga disa të tilla që pretendohet se janë bërë nga Konjufca.

Gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Bislimi u përgjigj duke e gjuajtur me shishe. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun dhe ka nisur përleshja fizike ku u përfshinë edhe deputetë të tjerë. Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë janë intervistuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri Hekuran Murati e deputetët e PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe Hajdar Beqa.

Sipas Hoxhës, seanca e djeshme është dashur të ndërpritet. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi siç thotë deputetja e PDK-së, pushteti i kishte numrat dhe donte t’i kalonte disa ligje.

“Kishte klimë frustruese, kundërshtuese, por edhe të dhunës. Nuk kishte mundësi emocionale që të vazhdohet seanca. Por insistimi i Kurtit që e ka dirigjuar seancën e djeshme u desh të vazhdonte me një seancë të jashtëzakonshme. Është shkelur rregullorja disa herë. Konjufca u koordinua me Kurtin. Kjo është shkelja e parë. Nuk mundet Qeveria ta kontrollojë Kuvendin. Kjo ka mundur të menaxhohet nga kryeparlamentari. 6-7 orë ka zgjatur seanca ashtu për kryeneçësinë e Kurtit dhe trysninë e tij ndaj Konjufcës”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.

Si shkelje të rregullores, Hoxha e ka konsideruar edhe votimin e Ligjit për rregullimin e çmimit të barnave, pasi votimi u krye nën praninë e Policisë.

“Është shkelje e rregullores nga kryeparlamentari, nuk mund të punojë Kuvendi nën masa të tilla të dhunshme. Por Konjufca e zbatoi rregulloren kur na kërkoi neve të largoheshim nga foltorja, ndryshe do të na dënonte. Duhet të mësohemi që të mos përdorim standarde të dyfishta askund”, ka shtuar ajo.

Edhe Kuvendi i Kosovës – arenë boksi Arbëri Kuvendi i Kosovës – arenë boksi

“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është nxitësi kryesor i dhunës së djeshme”, ka përsëritur Hoxha.

Ajo ka shprehur mbështetje për një protestë të paralajmëruar për ditën e nesërme nga veteranët e UÇK-së, të cilët nuk janë përfshirë në Ligjin për pagën minimale, që u votua dje në orët e vona e mbrëmjes. Ka shtuar se kategoritë e dala nga lufta nuk po trajtohen dinjitetshëm.