Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se sot janë shpalosur gjetjet rreth kontratave që janë bërë gjatë një viti qeverisje në Ministrinë e Infrastrukturës.
Ajo ka thënë se kanë qarkulluar shumë para dhe janë dedikuar për punë shtesë dhe kontrata që janë të dedikuara për infrastrukturën rrugore.
Hoxha në emisionin “60 minuta” në KTV ka thënë se është e rëndësishme që brenda një viti kalendarik ka pasur 42 kontrata për punë shtesë.
“Ne kemi dyshime për abuzim, për kontrata të montuara, për vendime mbi tavolinë për 9 milionë euro. Nëse për 10 për qind shtesë të operatorëve që kanë qenë të kontraktuar dikur, Kosova brenda një viti shpenzon 9 milionë euro, kemi nevojë t’i diskutojmë se ku kanë shkuar ato para. Unë nuk kuptoj se çfarë urgjence ekstreme kemi pasur. Por me ligjin e prokurimit i lejohet ministrisë të ketë tejkalim të kontratës nëse dalin punë shtesë. Për një vit kemi 42 kontrata për punë shtesë. Disa kontrata nuk janë të publikuara dhe nuk dihet se për çfarë bëhet fjalë. Ka të tilla që e kanë paramasën e plotësuar me çmime. Nuk guxon ministria në këtë rast t’i shënojë çmimet”, ka thënë ai.
Sipas saj, ka raste kur vlera e kontratës është më e lartë se vlera e parashtruar.
Edhe
PDK: Të hetohet keqpërdorimi i 9 milionë eurove për 42 kontrata njëburimore nga MI-ja
Hoxha ka thënë se nëse shpenzohen kaq shumë para, ose kompania nuk i ka llogaritur mirë shpenzimet ose ka keqpërdorim të parasë publike.
Ajo ka thënë se kontratat në disa raste nuk janë publikuar në E-prokurim.
“Është e rëndësishme të shihet se kontrata bazë cila është. Këto të gjitha janë zgjerim rruge, rehabilitim i rrugës e të tjera, d.m.th. kontrata që janë lidhur më herët e më pas janë dhënë edhe punë shtesë. Ne do të shohim se në çfarë shkalle është abuzuar me kontratë publike. Ne kemi shumë dikastere që nuk i kanë buxhet 9 milionë euro. Kjo praktikë duhet të ndalojë”, ka thënë ajo.
Hoxha ka thënë se ka kontrata të lidhura por asnjë punë të kryer.
Sipas saj, nënshkrimi është bërë në shumicën e rasteve nga zëvendësministri, Hysen Durmishi, e kjo thotë ajo, nuk duhet të ndodhë.
Ajo ka thënë se zëvendësministri nuk mund të nënshkruajë kontrata të tilla.
“Kemi kontrata të nënshkruara në tavolinë, kontrata të montuara. Për pesë vjet ka pasur 15 kontrata të tilla për punë shtesë. Sasia e këtyre kontratave flet për papërgjegjësi. Në këtë krizë, mbi 9 milionë euro të shkojnë për punë shtesë, është problem i madh. Ne do ta vazhdojmë hulumtimin për disa kontrata specifike”, ka thënë ajo.
Hoxha ka thënë se ka qenë një vit me shumë sfida, pasi shumë nga çështjet që po sfidohet vendi përfshijnë një agjendë më të madhe. Por shton se reagimi i Qeverisë është i vakët.
Edhe
Pezullohen zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, që akuzohen për dallavere me tender
Ajo ka thënë se nuk she vizion për zhvillim nga Qeveria.