Kryeministri Albin Kurti bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, janë takuar të hënën me përfaqësues të bizneseve, ku kanë theksuar rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, potencialin që ka Kosova dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me sektorin privat.
Ambasadori Hovenier pas takimit ka thënë se është diskutuar për ndikimin negativ që japin tensionet e rritura dhe paqëndrueshmëria në klimën e investimeve të vendit.
“Sot mora pjesë në një bisedë të rëndësishme mes kryeministrit Kurti dhe liderëve të biznesit, për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të dialogut mes qeverisë dhe sektorit privat. Diskutuam gjithashtu se si tensionet e rritura dhe paqëndrueshmëria ndikojnë negativisht në klimën e investimeve të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.
Teksa nga Zyra e Kryeministrit kanë bërë të ditur se është diskutuar për mundësitë dhe sfidat në financimin e zgjerimit të biznesit dhe sa i përket fuqisë punëtore, si dhe për mënyrat se si të tërhiqen edhe më shumë investime të huaja direkte në vend.
“Kryeministri Kurti nënvizoi punën, veprimet dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria për lidhjen ndërmjet edukimit dhe tregut, përmes arsimit dual, i cili tashmë është pilotuar në këtë vit akademik që po e përmbyllim në gjithsej katër shkolla profesionale, në katër programe në tre komuna të ndryshme. Ai i njoftoi edhe për mundësitë që ofron Fondi Sovran, ligji për të cilin së fundmi është miratuar në Qeveri, dhe potencialin që paraqet sektori i energjisë, duke marrë parasysh orientimin e qeverisë drejt energjisë së ripërtëritshme”, thuhet më tej në njoftimin e ZKM-së.
-
Hovenier: Sfidat me Qeverinë Kurti ndikuan në cilësinë e marrëdhënieve tona
-
Kurti takon ambasadorin Hovenier
-
Hovenier: Kurti të ndërmarrë hapa për shtensionimin e situatës
-
Ambasadori amerikan i shkon në zyrë Kurtit
-
Kurti lavdërohet për tërheqje të investimeve. OEK: Asnjë kompani serioze s’investoi viteve të fundit