Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasadori amerikan i shkon në zyrë Kurtit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është parë duke hyrë në zyrën e kryeministrit Albin Kurti të mërkurën.

Qeveria ka thënë se me ambasadorin amerikan dhe ambasadorët e shteteve evropiane, kryeministri Kurti zhvillon takime të shpeshta. 

“Me vendet e QUINT-it, e posaçërisht me ambasadorin amerikan, sikurse edhe atë evropian, kryeministri zhvillon shpesh takime. Ka qenë një takim i shkurtër, kanë biseduar për shumë tema dhe pastaj Kryeministri ka shkuar për vizitë në KEK”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi për KOHËN. 

Kurti të martën në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Guardian”, ka thënë se rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak duhet të zhbllokohen. Por ka shqetësim se mund të ndodhin incidente më të rënda gjatë procesit të zhbllokimit të rrugëve.

 

Ndërkohë, SHBA-ja ka bërë thirrje vazhdimisht për ulje të tensioneve.

Edhe Hovenieri dhe ambasadorët e QUINT-it në takim me Kurtin Arbëri Hovenieri dhe ambasadorët e QUINT-it në takim me Kurtin

Pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, situata në veri ka ngelur e tensionuar. Policia dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u sulmuan në përpjekjet e tyre për t’i organizuar zgjedhjet në katër komunat e veriut. Pas tensioneve të shkaktuara, zgjedhjet janë shtyrë për në prill.

Serbët po protestojnë kundër arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, të dyshuar për sulmet ndaj Policisë dhe KQZ-së. Që nga 9 dhjetori, serbët kanë vendosur barrikada në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ripërsëritur se SHBA-ja përkrah integrimin rajonal, evropian dhe euroatlantik të Kosovës.

“Diskutim i madh me liderët e Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe gjithë ambasadorët e Kosovës. Ne kemi ndarë përvojat tona në punë për çështje të jashtme dhe siguri kombëtare, dhe e kam ripërsëritur vizionin e SHBA-së në përkrahje të integrimeve rajonale, evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar Hovenier në Twitter.