Nuk janë të mjaftueshme ndjekja penale dhe gjykimi për luftimin e dhunës në familje. Kërkohet edhe ndryshim kulturor, ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier të mërkurën në kuadër të forumit “Fol hapur për sundimin e ligjit në Kosovë”, të Lëvizjes Fol.
“Duhet më shumë punë në parandalim. Qytetarët meritojnë më shumë”, ka thënë Hovenier që ka shtuar po ashtu se duhet që të gjithë t’i respektojnë vendimet gjyqësore dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Në këtë forum, Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja Fol ka dhënë shifrat e rasteve gjyqësore të zgjidhura. Nga 1312 lëndë të dhunës në familje, janë zgjidhur 895 lëndë apo 68 për qind të të gjitha lëndëve, ka bërë të ditur ajo. “Shqetësues është fakti që pjesa më e madhe e këtyre lëndë të reja janë të krijuara gjatë vitit 2021 përkatësisht 94 për qind të lëndëve”, ka thënë Demolli-Nimani.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk është e mjaftueshme ngritja për 17 vende e Kosovës në raportin e Transparency International. Ka shtuar se më 18 qershor pritet opinioni i Komisionit të Venecias për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Për viktimat të dhunës në familje është zotuar se do të kenë kompensim të menjëhershëm.