Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hovenier mirëpret zbatimin e marrëveshjes për letërnjoftime, përmend njohjen reciproke

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka mirëpritur zbatimin e marrëveshjes për dokumentet e hyrje/daljeve midis Kosovës dhe Serbisë, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori.

Hovenier nëpërmjet një postimi në Twitter, ka thënë se liria e lëvizjes është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve, që përqendrohen në njohje reciproke mes këtyre dy vendeve.

“Mirëpresim fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja për dokumentet e hyrjes/daljes. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke për Kosovën dhe Serbinë. Mezi presim të shohim përparim në çështje të tjera në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Hovenier.

 

Zbatimi i vendimit për targa dhe i atij për reciprocitet në dokumente identifikimi ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht.

Ato i kishin pezulluar barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë në dy pikëkalime kufitare me Serbinë dhe kërcënimet e dhëna në Beograd, një ditë para se të hynte në fuqi kjo marrëveshje.