Arbëri

Hoti: Videoja e VV-së, propagandë për mashtrim të publikut

Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka quajtur propaganduese videon e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, që e publikoi të enjten.

Ai shkroi në Facebook se nga VV-ja priti të tregonin sa ishin investimet e jashtme, sa vende pune janë krijuar e sa është reduktuar inflacioni, por “ishte video për të vetëm që dinë ta bëjnë”.

Videon e VV-së mund ta shikoni këtu

“Prita se është ndonjë video që tregon sa kanë qenë investimet e jashtme, sa vende pune janë krijuar, sa është zvogëluar importi i mallrave nga Serbia, sa ka qenë rritja ekonomike, sa është reduktuar inflacioni nga politikat e Qeverisë?! Por, JO! Ishte video për të vetmen gjë që dinë ta bëjnë — propagandë për mashtrim të publikut”, shkroi Hoti.

Ndërsa, Jehona Lushaku-Sadriu nga Forumi i Gruas i LDK-së e quajti VV-në shtëpi propaganduese dhe parti e paaftë e e dëmshme për Kosovën.

Për partinë në pushtet, Lushaku-Sadriu tha se është rritur me gënjeshtra, ndërsa e quajti “Lëvizja video-vendosëse”.

“Shtëpia propaganduese LVV paska vazhduar me sulme ndaj lidershipit të LDK-së duke fabrikuar dobët. Ju jeni veq populista të paaftë, e të dëmshëm për Kosovën. Këtë po e vuajnë qytetarët, s'kanë nevojë për video nga ju. Videot s'hahen!Kujtojeni që jeni rritë me gënjeshtra: Shtetin e Kosovës nuk e keni pranuar e as njohur; Flamurin e Kosovës e keni quajtur 'flamur lara lara'; Ja keni vënë flakën Kuvendit për marrëveshje të cilat sot jeni bërë gardian të tyre; Demarkacionin se përmendët dje në vizitë; Negocioni me Serbinë natë e ditë pa pikë transparencë. S'po flas asgjë për kontratat njëburimore, nepotizmin, shkeljet e Kushtetutës nga ministrat, inflacionin që e ulni rrejshëm, vendimet joligjore- dënimet që paguhen me taksat tona për keqqeverisjen e ministrive, glorifikimin e kriminelëve të luftës nga Kurti, e AFERAT milionëshe të Ambasadorit me para të Beogradit, që s’keni guxim as me emër t’i drejtoheni: Martinit, pra”.

Në serinë e videove në Facebook, Vetëvendosje të enjten publikoi akuzat për “doktorët e LDK-së” dhe qasjen e tyre për ekonominë. Ajo ka thënë se LDK-ja tentoi ta shkatërronte sistemin pensional në Kosovë, duke e krahasuar me shkatërrimin serb.