Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur sot paradite në një takim që ata e kanë quajtur të rregullt.
Në këtë mbledhje me dyer të mbyllura dhe që zgjati më orë tëra, u tha se u fol për zgjedhjet lokale të cilat do mbahen në tetor
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, siç thuhet në një njoftim ka thënë se secili anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës duhet të jetë krenar me punën dhe sukseset e shtetit të Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së.
Ai tha se Partia Demokratike është e përgatitur dhe po vazhdon përgatitjen për zgjedhjet lokale.
Në komunikatën për shtyp, por as në paraqitjen e Blerand Stavilecit para mediave nuk u tha nëse është folur edhe për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.
Por, Rexhep Hoti nënkryetar i kësaj partie ka thënë për RTK-në se brenda në takim Këshilli Drejtues ka marrë dy vendime. Njëri prej tyre ka të bëjë me nominimin e Veseli për Kryetar të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Kurse tjetri ka të bëjë me dhënien e kompetencave për Kryetarin e PDK-së që t’i propozojë emrat për ministra të rinj në Qeveri dhe emrat e kandidatëve për Kryetarë komunash.
Seanca e Kuvendit të Kosovës është caktuar për 3 gusht. Aty, pritet të votohet për Kryetarin e Parlamentit dhe Nënkryetarët.