Arbëri

Hoti thotë se shpëtimi i PDK-së dhe LDK-së është opozita, por s’e mohon koalicionin me Veselin

Enver Hoti, Deputeti i Nismës për Kosovën ka shprehur bindjen se PDK-ja dhe LDK-ja janë në një krizë, prandaj ai thotë se duhet të kalojnë në opozitë.

“Ne do të shkojmë në zgjedhje për shkak të ngecjeve, për shkak të mos realizimit të premtimeve të qeverisë”, tha ai.

Sipas tij partitë në pushtet janë të përgatitura për zgjedhje sepse tani të gjithë janë të bindur se janë të nevojshme.

“Opozita do të fitojë, ajo është e fuqishme në çdo formë. Zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe sipas analizave të deri tashme, ne do të fitojmë”, ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së.

Por ai nuk ka qenë në gjendje as ta mohojë e as ta pohojë nëse partia e tij dhe boshti opozitar me AAK-në do të bënin koalicion me PDK-në e KADRI Veselit.

“Unë nuk do ta kisha trajtuar këtë temë tani, mendoj se ky është një informacion i kontrolluar që po shfaqet në opinion. Njëherë duhet të shkojmë në zgjedhje, urgjente është që të shkojmë në zgjedhje për të cilat jemi të bindur se do të jenë në interes të vendit. Siç po shihet në terren opozita do të jetë fituese. Boshti opozitar AAK-Nisma do të jetë fituse. Ne do të drejtojmë Qeverinë dhe më e mira do të ishte që PDK dhe LDK të shkojnë në opozitë”, ka thënë Hoti.