LAJMET E MBRËMJES

Opozita e bindur në zgjedhje dhe në fitoren e saj këtë vit

Partitë opozitare kanë vazhduar të flasin për zgjedhjet edhe pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Nga PDK-ja kanë thënë se VV-ja më nuk do të arrijë të krijojë Qeverinë, nga LDK-ja kanë thënë se qëndrojnë jashtëzakonisht mirë te qytetarët e nga AAK-ja se janë më të përgatitur se kurrë

Partitë opozitare janë të bindura se Lëvizja Vetëvendosje do të humbë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato mbahen. Sipas përfaqësuesve të tyre, VV-ja nuk do të arrijë të fitojë mbi 50 për qind, ashtu siç ka bërë para tre vjetëve dhe se udhëheqja e ardhshme do të jetë në duar të opozitës.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka marrë shkak masat ndëshkuese ndaj Kosovës e telashet në funksionim, me të cilat janë përballur në Kuvend gjatë vitit të shkuar, për të arsyetuar kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit.

Sipas Tahirit, sa më herët që mbahen zgjedhjet përfitues do të jenë qytetarët pasi, siç tha ai, “do të ndërpriten shumë prej çështjeve të dëmshme të vendit”.

“Ne sot e shohim pakënaqësinë te qytetarët, ne sot e shohim tendencën për largim nga vendi të qytetarëve tanë pikërisht të manipulimeve dhe dështimeve të mëdha të kësaj qeverie. PDK-ja është jashtëzakonisht e gatshme dhe jemi të bindur që këto zgjedhje kurdo që do të mbahen, Lëvizja Vetëvendosje më nuk do të arrijë të krijojë qeverinë”, ka thënë ai, në konferencën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Për zgjedhjet kanë folur edhe nga LDK-ja. Deputeti Arben Gashi ka thënë se janari i vitit të ardhshëm është koha më e largët e qëndrimit në pushtet të kryeministrit Albin Kurti. Në bazë të matjeve që thotë se partia ka bërë, Gashi u shpreh se LDK-ja qëndron “jashtëzakonisht mirë” me përkrahje nga qytetarët.

“Tashmë ka filluar numërimi mbrapsht, po fillon fundi i kësaj qeverisjeje dhe po afrohet momenti kur ne u kthehemi qytetarëve dhe kërkojmë përkrahjen e tyre nëpërmjet programeve dhe alternativave, shpresojmë që kësaj radhe do të bazohemi te programet dhe alternativat dhe të mos ndodhë siç ka ndodhur më herët nga z. Kurti dhe partia e tij që të jetë alternativë mashtrimi”, ka thënë ai.

Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thonë se zgjedhjet do ta gjejnë më të përgatitur se kurrë më parë.

“AAK-ja do të jetë boshti politik i të gjithë qytetarëve, subjekteve politike të tjera dhe koalicioneve të ndryshme në mënyrë që me ia dhanë veprimin, vendimin e duhur kurdo që të mbahen zgjedhjet”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Mandati i rregullt i Qeverisë përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.

Mirëpo para mbajtjes së zgjedhjeve këtë viti apo tjetrin, nga Vetëvendosje thonë se janë të fokusuar në përmbushjen e premtimeve. Shefja e deputetëve në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se mandatin që e kanë marrë nga qytetarët është i plotë.

“Ne vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar edhe në legjislativ edhe në ekzekutiv që të kryejmë sa më shumë punë që kemi marrë nga kontrata me qytetarët, nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 dhe në zgjedhje të shkohet në orar të rregullt”, ka thënë ajo.

Të enjten seancë e jashtëzakonshme, debatohet për çmimin e energjisë

Qëndrimet për zgjedhjet e rezultatet e tyre ligjvënësit i shpalosën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Aty u vendos që sesioni pranveror të nisë me një seancë të jashtëzakonshme, nismë e opozitës, ku do të diskutohet për çmimin e energjisë elektrike.

Abelard Tahiri, nga partia që ka iniciuar këtë seancë, e që do të mbahet të enjten, ka thënë se kanë propozuar edhe një rezolutë.

“Në bazë të saj kërkojmë edhe uljen e çmimit të energjisë elektrike si dhe heqjen e bllokfaturave përmes së cilave arrijnë çmimet e energjisë elektrike dhe faturat e papërballueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Në këtë seancë Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh se do të diskutohet për faturat e larta të energjisë elektrike që kanë pranuar qytetarët.

Ngritja e problemeve me të cilat përballen qytetarët, Besnik Tahiri i AAK-së ka deklaruar se do të jenë në fokus të deputetëve të kësaj partie në këtë sesion të punimeve të Kuvendit. Duke folur për seancën ku do të diskutohet për çmimet e energjisë elektrike, Tahiri ka thënë se kanë mbështetur kërkesën për ulje të çmimit të energjisë elektrike.

“Nuk ka logjikë që çmimi i energjisë elektrike me qenë i njëjtë ose më i lartë se vitin e kaluar kur dihet se çmimi në tregun ndërkombëtar ka rënë. Për vlerësimin tonë kjo është një vjedhje klasike që u bëhet qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

E kënaqur me një nisje të tillë të sesionit pranveror nuk është ndarë deputetja Mimoza Kusari-Lila. Ajo e ka konsideruar “fillim jo të mbarë” pasi, siç ka thënë, “të enjten do të duhej të mbahej seancë e rregullt”.

Sesioni i ri pranveror i Kuvendit me problemet e vjetra

Nga qëndrimet e dhëna pas mbledhjes së Kryesisë pritet që sesioni i ri i punimeve të Parlamentit të shoqërohet me problemet e vjetra. Nga PDK-ja është paralajmëruar mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e LDK-ja ka për shqetësim pengimin e funksionimit të Komisionit Hetimor për Rezerva shtetërore nga mospjesëmarrja e deputetëve të pushtetit.

Sipas shefit të Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, Vetëvendosje ka tradhtuar besimin e dhënë që pasi të votohen marrëveshjet ndërkombëtare të fillojë puna në Komisionin hetimor parlamentar.

Me një veprim të tillë, të mosfunksionalizimit të Komisionit hetimor, Gashi i LDK-së u shpreh se Vetëvendosje është duke asgjësuar një nga shtyllat kryesore të parlamentarizmit në Kosovë, atë të mbikëqyrjes parlamentare.

“Ky vullnet i Vetëvendosjes për të paaftësuar Kuvendin e Republikës për ne është i papranueshëm, i patolerueshëm, të cilin ne do ta luftojmë. Është e papranueshme që të paaftësohet komisioni parlamentar për rezerva shtetërore dhe kjo na qet në një situatë të re”, ka thënë ai.

Sipas tij, sabotimi që partia në pushtet është duke ua bërë institucioneve nuk ka ndodhur më parë në historinë parlamentare të Kosovës.

Por, me kolegun e saj, Mimoza Kusari-Lila e VV-së nuk është pajtuar. Ajo ka thënë se para mbikëqyrjes parlamentare deputetët kanë për detyrë miratimin e ligjeve në Kuvend, gjë të cilën tha se nuk e kanë bërë opozitarët.

Kusari ka thënë se mbledhjet e Komisionit hetimor janë caktuar në të njëjtën kohë me atë të komisioneve funksionale të Kuvendit andaj, sipas saj, edhe nuk kanë arritur që të marrin pjesë.

“Sikur të ketë formë dhe menaxhim të mirë të orarit, atëherë po. Po në situatën në të cilat ka ndeshje në raport me oraret, për ne gjithmonë në përparësi janë komisionet funksionale”, ka thënë ajo.

PDK-ja e LDK-ja kritikojnë Avokatin e Popullit

15 janari ishte data e fundit deri kur Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka paralajmëruar se do të presë deputetët që të amendamentojnë Ligjin për Zgjedhje në mënyrë që të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Përmes amendamentimit avokati ka synuar që të adresojë shqetësimet në lidhje me mospërputhjen e këtij ligji me Kushtetutën e Ligjin për Barazi Gjinore sa i përket përfaqësimit të barabartë të kandidatëve në listat zgjedhore.

Sipas deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, puna e tyre ka përfunduar me miratimin e ligjit vitin e shkuar. Në konferencën pas mbledhjes së Kryesisë, Tahiri ka kërkuar që Avokati të mos e dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Zgjedhje pasi, sipas tij, është në përputhje me Kushtetutën.

“Është hera e parë që arrijmë në një konsensus për çështje të rëndësishme të sistemit tonë zgjedhor. Prandaj e konsiderojmë si çështje të mbyllur. Nuk e shoh se cili mund të jetë angazhimi jonë si deputet krahas kësaj çështjeje. Unë shpresoj që Avokati i Popullit një iniciativë kaq të rëndësishme, pra që e kanalizon vullnetin e qytetarëve drejt themelimit të institucioneve, mos ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese sepse është më e mira e mundshme që kemi arritur si parti politike”, ka thënë ai.

E sipas LDK-së, afat deputetëve për amendamentimin e një ligji nuk mundet t’ju japë askush, as Avokati i Popullit.

“Nëse vlerëson që Ligji për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës është në kundërshtim me Kushtetutën, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe mbyllet kjo çështje”, ka thënë ai.

Pas paralajmërimit se do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Zgjedhjet, Avokati i Popullit është kritikuar edhe nga partia në pushtet – Vetëvendosje.

Ligji për Zgjedhjet është miratuar në Kuvend, në qershor të vitit të kaluar, me procedurë të përshpejtuar, ndërkaq ka hyrë në fuqi një muaj më vonë.