Arbëri

Hoti: Në tendencën për të vendosur kontroll, Qeveria ka lënë disa institucione pa funksion

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria po ka tendencë për të vendosur kontroll mbi disa institucione që ai thotë se sipas Kushtetueses janë të pavarura.

Banka Qendrore, Trusti, departamentet e Ministrisë së Financave dhe zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit janë institucionet që sipas Hoti kanë mbetur pa funksion, pasi sipas tij, Qeveria po synon t’i vendosë nën kontroll. Pati kritika edhe për presidenten Vjosa Osmani që s’po e dekreton Kryeprokurorin e ri tash e një vit.

“Në tendencën për të vendosur kontroll mbi institucione, që sipas Kushtetutës janë të pavarura, ato institucione sot kanë mbetur pa funksion. Po shkoj me listën: Banka Qendrore, Trusti është pa bord, Kryeprokurori i Shtetit ka një vit që nuk emërohet me tendencë që nëpërmjet atij ligji për KPK-në që ishte kundër kushtetues të zgjidhet tjetërkush. Presidentja s’po e dekreton. ATK qe një vit e sa vepron pa drejtor. Thesari vepron pa drejtor. Inteligjenca Financiare vepron pa drejtor. Shpresoj të mbusheni mend se pasojat jemi duke i vuajtur të gjithë”, ka thënë Hoti në seancën e së enjtes të Kuvendit gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës.

Në seancën e sotme, kryeministri Albin Kurti pritet t'i përgjigjet pyetjeve të deputetëve për punën dyvjeçare të qeverisë së udhëhequr prej tij.