Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti i LDK-së përsëri kërkon zgjedhje

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në fjalën e tij gjatë vazhdimit të seancës së sotshme të Kuvendit, ka folur lidhur me arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq gjatë ditës së djeshme në Kosovë.

Hoti ka treguar se LDK-ja është kundër trajtimit të tillë të shtetasve turq, duke shtuar se ata nuk kanë pasur asnjë problem me ligjin në Kosovë, raporton KosovaPress.

“Ata njerëz kanë pasur leje të qëndrimit në Kosovë, nuk kanë qenë të ndjekur në Kosovë. Ne si Grup Parlamentar do të kërkojmë përgjegjësi lidhur me këtë. Kryeministri i vendit nuk ka kontroll mbi institucionet e vendit. Presidenti Hashim Thaçi ka tejkaluar kompetencat e tij, nuk është hera e parë që ai kalon kompetencat”, u shpreh Hoti.

Hotit nuk i duket i mjaftueshëm shkarkimi i ministrit të brendshëm, Flamur Sefaj nga kryeministri Haradinaj.

“Shkarkimi që sapo u bë publik nuk është i mjaftueshëm”, tha ai, duke i kujtuar Haradinajt kohën kur ai qëndroi në Francë, dhe nuk u deportua në Serbi vetëm pse Serbia e dëshironte atë.

Me këtë rast Hoti ka përsëritur për të disatën herë kërkesën e kësaj partie që vendi të shkojë drejt një procesi të ri zgjedhor.

“Nga sot shteti i Kosovës hyn në një situatë të re, duhet të ulemi të dakordohemi për datën e zgjedhjeve. Kjo qeveri po e sjell vendin drejt kolapsit, prandaj ne kërkojmë që sa më parë të ulemi bashkë, të dakordohemi për hapat që duhet ndërmarrë”, deklaroi Hoti.

Artikuj të ngjashëm