Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Trusti Pensional ka mbetur pa Bord nga data 1 mars e këtij viti.
Sipas tij, rreth 2.5 miliardë të kursimeve pensionale të investuara në tregje financiare janë në mëshirë të fatit.
Ka shkruar se pasojat po barten tani.
“Çmimi i njësisë së FKPK-së është në rënie nga 3 mars 2023 e këndej. Kjo po ndodh për shkak të disa sinjaleve për krizë të mundshme në tregjet financiare nga falimentimi i një banke në SHBA. Por, në mungesë të Bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo është papërgjegjësi.
“Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022, por është zgjatur edhe për tre muaj. Konkursi është shpallur para tre muajve më 02.12.2022, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Konkursi do të duhej të ishte shpallur disa muaj para se të mbaronte mandati i Bordit, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme për të zgjedhur Bordin e ri”, ka shkruar Hoti.
Edhe
Trusti pa bord, anëtarët e Komisionit përzgjedhës me probleme në komunikim
Ai ka thënë se në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve nuk do të mund të investohen në tregje financiare.
Hoti ka shkruar se “Mazhoranca që qeverisë me vendin e ka refuzuar projektligjin për tërheqje të mjeteve nga Trusti. Si do të përgjigjet tani?!”.