Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti ankohet për agjendën e Kuvendit sot: Tallje me temat që do të diskutohen

Avdullah Hoti

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, njëherit deputet i LDK-së, është ankuar me agjendën e Kuvendit të Kosovës për të enjten.

Në Kuvend sot mbahen tri seanca. Në seancën e parë, që nis nga ora 10:00, do të shqyrtohen në lexim të dytë projektligjet për zyrtarë publikë dhe për pagat në sektorin publik.

Nga ora 12:00, pritet të shqyrtohet Strategjia e energjisë për periudhën 2022-2031.
Ndërsa nga ora 13:00 do të mblidhen deputetët në seancë të rregullt plenare, ku do të shqyrtohen disa pika, përfshirë edhe një marrëveshje ndërkombëtare për kredi.

“Agjenda e sotme e Kuvendit, me tri seanca njëra pas tjetrës, është tallje me temat që diskutohen dhe me ata që preken nga këto tema. Ora 10:00: Ligji për pagat dhe ligji për zyrtarët publik, që prekin jetën e 85 mijë zyrtarëve dhe familjeve të tyre. Ora 12:00: “Strategjia e energjisë 2022-2031”, tema më e rëndësishme e dekadës për secilin shtet, për qytetarët dhe për bizneset. Ora 13:00: Seancë e re me një marrëveshje ndërkombëtare për kredi, shtatë projektligje, debati për raportin e Komisionit Evropian dhe një raport për një agjenci. Për më tepër, janë edhe pesë apo gjashtë seanca të hapura që nga fillimi i sesionit vjeshtor të Kuvendit. Kjo është joserioze. Me këtë qasje kjo mazhorancë tregon se nuk do konsensus me opozitën për temat e rëndësisë nacionale. As debatin e opozitës nuk duan ta lejojnë. Sa u përket deputetëve të mazhorancës, ata janë aty vetëm për të ngritur dorën kur u kërkohet, pa u marrë me përmbajtjen e asaj që votojnë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

 

Artikuj të ngjashëm