Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hisja e LDK-së në BQK

Një vit pas rrëzimit të qeverisë së Isa Mustafës, me mocion mosbesimi, shefi i kabinetit të tij Sokol Havolli, u rikthye në punën e vjetër.

Por, kësaj radhe, me më shumë autoritet dhe kompetenca, raporton KTV. Në qershorin e vitit 2018, ai arriti të zgjidhet zëvendësguvernator i BQK-së.

Havolli ishte krahu i djathtë i ish-kryeministrit Mustafa për një kohë të gjatë, ashtu sikurse edhe këshilltar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës nga radhët LDK-së.

Por, në fillim të këtij viti, në institucionin kryesor financiar të Kosovës, Havollit iu bashkuan edhe familjarë të tjerë të kolegëve të tij partiakë nga LDK-ja.

Në fillim të këtij viti, Igballe Përçuku –Tahiri, u punësua si zyrtare e logjistikës në Bankën Qendrore të Kosovës.

Edhe Pushtetarët përdorin Ligjin për Obiliqin, që të punësojnë familjarë në KEK Arbëri Pushtetarët përdorin Ligjin për Obiliqin, që të punësojnë familjarë në KEK

Përçuku –Tahiri, e cila është bashkëshortja e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, deri para pak kohësh, ka punuar në Komunën e Prishtinës, konkretisht në drejtorinë për Shëndetësi.

Guraja e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, Zana Gashi punon në BQK për më shumë se një dekadë.

Por, sipas informacioneve që posedon Kohavisioni, ajo së fundi është ngritur në detyrë duke u emëruar drejtoreshë në Departamentit e Makros, pa pasur fare konkurs - as të jashtëm e as të brendshëm.

Në një përgjigje elektronike që ia ka dërguar KTV-së, BQK-ja thotë se të gjithë punonjësit e saj janë punësuar në bazë të konkurseve publike.

“Të gjithë këta punonjës janë punësuar në BQK në bazë të konkurseve publike, i janë nënshtruar testit me shkrim dhe intervistës dhe kanë rezultuar me pikët më të larta në procesin e vlerësimit nga komisionet vlerësuese. Dëshirojmë që edhe një herë të theksojmë se proceset e rekrutimit në BQK zhvillohen në pajtueshmëri të plotë me të gjitha standardet e rekrutimit transparent dhe objektiv,dhe nuk ka vend për ndikime të jashtme”, thuhet në përgjigjen e BQK-së

Edhe Në BQK punon edhe motra e ministrit Ismaili, mbesa e Zonjës së Parë dhe vajza e Dedajt Arbëri Në BQK punon edhe motra e ministrit Ismaili, mbesa e Zonjës së Parë dhe vajza e Dedajt

Kohavisioni ka provuar të vë kontakt me kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, dhe deputetin e LDK-së Arben Gashi, për t’i pyetur nëse kanë përdorur ndikimin e tyre për punësimet dhe gradimet, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Telefonatave nuk i është përgjigjur as zëvendësguvernatori Sokol Havolli, ani pse ka premtuar se pas mbledhjes do të lajmërohet.

Zyrtar i mbikëqyrjes financiare, që nga fillimi i këtij viti, është Besim Dema. Dema është dhëndëri i vëllait të ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Ai është i martuar me Blerina Mustafën, vajzën e vëllait të ish-kryeministrit të vendit.

Sidoqoftë, Banka Qendrore e Kosovës ka pranuar për Kohavisionin se të gjithë të lartpërmendurit janë pjesë e BQK-së, e disa prej tyre ka thënë se janë në ende në periudhën provuese.

Edhe Nga fundviti, në BQK punon edhe kunata e zv/kryeministrit Limaj Arbëri Nga fundviti, në BQK punon edhe kunata e zv/kryeministrit Limaj

“Prandaj, me këtë rast, dëshirojmë të konfirmojmë se të gjithë personat e përmendur nga ju janë pjesë e personelit të BQK-së dhe i janë bashkangjitur këtij institucioni në saje të përgatitjes së tyre akademike e profesionale, si dhe përvojës që kanë bartur nga institucione të ndryshme. Në kuadër të punonjësve të përmendur nga ju, disa janë ende në periudhë provuese, ndërsa disa tanimë kanë mbi 5 deri në 10 vjet përvojë pune në BQK dhe kanë dhënë kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e këtij institucioni”, thuhet në përgjigjen nga Banka Qendrore e Kosovës.

Banka Qendrore e Kosovës është shfrytëzuar kryesisht nga PDK-ja dhe LDK-ja për punësimin e njerëzve të tyre dhe, së fundmi, këtë praktikë e kanë vazhduar edhe AAK-ja e Nisma për Kosovën.