Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se çështja Kosovë – Serbi kërkon një zgjidhje urgjente dhe duhet progres.
Hill në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, ka thënë se i dinë “përbërësit” për një të ardhme paqësore.
“Do të thosha se tash është gusht dhe shumë njerëz janë në pushimë, duhet të shohim se si do të shkojë në shtator. Besoj se kjo çështje kërkon zgjidhje urgjente dhe se duhet progres. Edhepse tani më e dimë se cilët janë ‘përbërësit” për një të ardhme paqësore – formimi i Asociacionit dhe pjesëmarrja e Kosovës në organizata ndërkombëtare. E dimë se çfarë duhet të bëjmë, vetëm duhet t’i bashkojmë pjesët”, ka thënë Hill.
Hill ka thënë se po sheh përpjekje të re për t’i zgjidhur problemet.
“Të gjithë patën një shans për të menduar gjatë verës dhe shpresoj se mund të përmirësohemi. Serbia është vendi më i madh në Ballkan, ka ambicie për t’u afruar me Perëndimin, ka plane ambicioze ekonomike, po vjen Expo 27, po të isha Serbia do të doja ta zgjidhja problemin me Kosovën, për të treguar se unë ende mbështes komunitetin serb në Kosovë, por, më në fund, po shoh se cilat janë lëvizjet e gjëra dhe strategjike që duhen bërë për t’iu bashkuar Perëndimit”, tha Hill.
Hill ka thënë se do të donte që dialogu i Brukselit të zhvillohej më shpejt, porse kanë besim dhe mendojnë se është qasja e duhur.
“Ne dëshirojmë të shohim një marrëveshje të bazuar në formimin e AKS-së, në mënyrë që serbët në veri të Kosovës të dinë se cilat janë rregullat e lojës dhe si do të duket jeta e tyre, kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ne e njohim Kosovën dhe do të donim që ajo t’i bashkohej organizatave ndërkombëtare, sepse mendojmë se është më e mira për Kosovën, por edhe për stabilitetin e rajonit. Kjo është politika jonë dhe mendoj se është e duhura. Loja nuk ka mbaruar”, ka thënë Hill.
Hill është pyetur edhe në lidhje me deklaratat e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhënë “TV Pink”, i cili i kritikoi shtetet e rajonit, përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë Veriore, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e për çka u kritikua edhe nga liderët e rajonit.
“Keni gabuar dhe kjo do t’i godasë në kokë, siç po i godet në Ukrainë të gjithë ata që promovuan Kosovën si shtet të pavarur. E hapën kutinë e Pandorës”, tha Vuçeviq.
Hill thotë se nuk i sheh ato deklarata si përpjekje për destabilizim të rajonit.
“Unë nuk e shoh si një përpjekje për destabilizim të rajonit dhe sigurisht nuk mendoj se z. Vuçeviq do të donte të kuptohej në atë mënyrë. Unë sigurisht që do të doja të shihja marrëdhënie më të mira mes vendeve të Ballkanit dhe mendoj se ‘Ballkani i Hapur; është një hap i mirë në këtë drejtim, siç është Procesi i Berlinit. Do të doja të shihja më shumë mbështetje nga vendet e tjera të rajonit, por edhe nga perëndimi, ku të gjithë e kuptojnë se këto vende duhet të bashkëpunojnë dhe kështu do të jenë partnere dhe anëtare më të mira të BE-së”, tha Hill.
Hill po ashtu nuk ka dashur ta krahasojë Vuçiqin me “Kasapin e Ballkanit” Sllobodan Millosheviqin.
“Nuk mund t’i krahasoj, ata janë shumë të ndryshëm, dhe koha është ndryshe. Nuk mund të flas për ngjashmëritë dhe dallimet mes presidentit aktual dhe dikujt si Millosheviqi, këtë do t’ua lë juve dhe historianëve”, tha Hill.