Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “test për seriozitetin e bashkësisë ndërkombëtare”.
Hill ka thënë se është koha që më në fund të formohet Asociacioni. Në një intervistë për “Radio Sto Plus” të Novi Pazarit, ambasadori amerikan tha se është herët të flitet dhe se duhet pasur diskutime tjera për propozimin evropian.
“Nuk do të doja të flisja për çështje konkrete e afate, por mendoj se është e rëndësishme që çështjet të zgjidhen, që pas 10 vjetëve të formohet më në fund Asociacioni, e shumë njerëz e shohin këtë si një test nëse bashkësia ndërkombëtare është seriozisht e interesuar për ta zgjidhur këtë çështje dhe mund ta them se është. Na duhet vetëm durim”, tha Hill.
Ai ka thënë se po ashtu Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj me atë të BE-së, ku përfshihet edhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Duhet ta dimë se Rusia sulmoi brutalisht fqinjën e saj, shumë vende të vogla evropiane vendosën sanksione, megjithëse ishte e vështirë për ta, por e bënë sepse ishte e drejtë. Besoj gjithashtu se Serbia do ta kuptojë këtë, nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur”, tha Hill.
Hill ka thënë se “Serbia ka bërë shumë progres”, por ai beson se ndikimi i Kosovës në Beograd është negativ.
“Mendimi im është se Rusia nuk po e ndihmon Serbinë në asnjë mënyrë. Nuk ka bërë asgjë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, s’ka bërë asgjë thuajse për ta ndihmuar ekonomikisht, madje edhe për mbështetjen e tyre energjetike Serbia duhet të paguajë”, tha Hill.