Arbëri

Hidhet poshtë aktakuza ndaj ish-drejtorit të Administratës së Prizrenit për laptopët

Gjykata Themelore në Prizren ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore kundër ish-drejtorit të Administratës së Komunës së Prizrenit, Ilir Baldedaj, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare me rastin e shpërndarjes së laptopëve për këshilltarët e Kuvendit të Komunës.

Shkalla e parë e gjyqësorit ka pushuar procedurën penale ndaj Baldedës, pasi ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme për mbështetjen e dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale, shkruan sot Koha Ditore.

"Hidhet aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, PP/I nr.62/2019 e datës 21.08.2019, në pajtim me nenin 253 par.1, nënpar.1.4 të KPPK. Pushon procedura penale ndaj të akuzuarit Ilir Baldedaj nga fshati Dedaj, Komuna e Prizrenit, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par.1 nën par.2.1 dhe 2.2 të KPRK, sepse nuk ka prova të mjaftueshme që të mbështet një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale sipas aktakuzës", thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit. Me këtë aktvendim Komuna e Prizrenit si palë e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi, Gjykata ndër të tjera ka bërë të ditur se kërkesa për hedhjen e aktakuzës ka qenë e arsyeshme, "sepse gjatë analizës dhe vlerësimit të shkresave të lëndës, konkretisht të aktakuzës, provave materiale në të cilat mbështetet aktakuza e prokurorit të shtetit, si dhe provave të cilat i ka parashtruar mbrojtja, vlerësoj se në rastin konkret nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Ilir Baldedaj ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par.1 lidhur me nënpar.2.1 dhe 2.2 të KPRK".

 (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)